Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër sulmin e së premtes në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës dhe e ka shpallur 24 Marsin si ditë zie kombëtare.

Përmes një fjalimi rreth 18 orë pas sulmit të 22 Marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”.

“Gjëja kryesore tani është që të parandalojmë ata që janë mbrapa kësaj gjakderdhjeje nga kryerja e një krimi tjetër”, ka thënë ai.

Putin ka thënë, po ashtu, se katër të dyshuarit që zyrtarët i kanë arrestuar më herët gjatë ditës, “kanë lëvizur drejt Ukrainës, ku pala ukrainase u ka përgatitur një dritare që ta kalojnë kufirin”. Presidenti rus nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.

Zyrtarët rusë kanë thënë se 11 persona janë ndaluar, përfshirë katër sulmuesit e dyshuar. Disa janë arrestuar në rajonin perëndimor Brajansk, i cili gjendet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas e kanë mohuar çfarëdo përfshirjeje me sulmin, edhe para se zyrtarët rusë të supozonin për lidhje ukrainase. Ministria e Brendshme e Rusisë ka thënë se katër të dyshuarit janë shtetas të huaj. Komiteti Hetues në Rusi ka thënë se pret që do të rritet numri i viktimave./REL