Katër persona kanë humbur jetën pas zjarreve që kanë përfshirë disa zona të Qipros. Flakët kanë shkatërruar sipërfaqet e pyjeve. Ndikuar edhe nga erërat e forta zjarri i fuqishëm ka prekur 10 komunitete në një sipërfaqe prej 50 kilometrash katrorë në rrëzë të vargmalit Troodos, një zonë pyjore me pisha dhe shkurre me bimësi të dendura.

Viktimat që mendohet të jenë shtetas egjiptianë u gjetën të vdekur afër komunitetit të Odou, një komunitet malor në veri të qyteteve të Limassol dhe Larnaca. Qiproja ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të shuar zjarrin që sipas zyrtarëve është më i madhi deri më tani. Vendi është duke përjetuar një valë të të nxehtit ekstrem me temperature mbi 40 gradë Celsius.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit. Komisioni Evropian, ka deklaruar se disa avionë nga Greqia dhe Italia janë vendosur në dispozicion për të shuar flakët. Disa helikopterë dhe aeroplanë tashmë po trajtojnë flakët, të ndihmuar nga trupat britanike dhe pajisjet e vendosura në ishull. Shkaku i zjarrit, i cili filloi rreth mesditës të së shtunës është ende i paqartë.

Klan News