Qeveria ka miratuar 5 milionë euro për të kompensuar disa fshatra që paguajnë për të hequr hirin

Dhjetëra qytete siçiliane po përballen me falimentim për shkak të kostos së pastrimit të hirit vullkanik të lënë nga mali Etna, i cili ka shpërthyer rregullisht që nga Shkurti.

Qeveria italiane caktoi 5 milionë euro për të kompensuar disa fshatra që po përpiqen të paguajnë për të hequr hirin dhe kostoja mund të arrijë më shumë se 1 milionë euro.

Alfio Previtera, një zyrtar i këshillit në qytetin Giarre, një nga fshatrat më të prekur nga hiri i Etna është shprehur se situata mbetet shumë serioze pasi rrugët, sheshet, çatitë, ballkonet, makinat  gjithçka është e mbuluar me hi. Që nga Marsi, rreth 25,000 ton hi kanë rënë në Giarre. 

Për të shmangur falimentimin e fshatrave, Senati javën e kaluar miratoi një ligj, sipas të cilit hiri nuk duhet të konsiderohet më mbetje e veçantë. Ekspertët janë shprehur se ligji do të zvogëlojë ndjeshëm kostot.

Hiri gjithashtu mund të përdoret në bujqësi për ta bërë tokën më pjellore, ose në ndërtim si një material çimentimi ose mbushës. Por qytetarët janë shprehur se ai po shkatërron çdo gjë.

Që nga Shkurti, Etna, e cila është 3,300 metra mbi nivelin e detit, ka shpërthyer në një mënyrë spektakolare. Vullkanologët në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës në Katania që po studiojnë hirin thonë se ajo reflekton atë që ata e quajnë “magma primitive”, e cila mbart një ngarkesë më të madhe të gazit dhe që shpjegon shpërthimet jashtëzakonisht të larta.

Shërbimi Kombëtar i Mbrojtjes Civile ka planifikuar një takim urgjent për të diskutuar shqetësimet e qytetarëve. Autoritetet lokale kanë këshilluar njerëzit që të mbajnë edhe një herë maska ​​mbrojtëse për shkak të hirit, pasi qeveria italiane në fillim të këtij muaji hoqi detyrimin për t’i mbajtur ato kundër COVID-19.

Klan News