Për rreth shtatë orë ka zgjatur mbledhja mes ministrave dhe kryebashkiakëve të mbledhur në Shkodër, një qytet tashmë të fituar nga e majta.

Në këtë mbledhje nuk munguan as 6 kryebashkiakët e djathtë, i Fushë-Arrëzit Hilë Curri, Fisnik Qosja i Kavajës, Rrok Doda i Pukës, Albert Mëlyshi, i Mirditës, Miftar Dauti i Hasit dhe Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj duke thyer një tabu me prezencën e tyre.

Pas mbledhjes, kryeministri Edi Rama në një dalje publike për mediat tha se pushteti vendor do të mbështetet me fonde dhe projekte edhe nga Bashkimi Europian me Planin e ri të Rritjes.

Edi Rama: Kemi sfidën e përafrimit të performancës së njësive të pushtetit vendor me mbështetjen nga qeveria. Plani i ri i Rritjes që praktikisht e angazhon Shqipërinë me një sërë programesh europiane, ku bashkitë kanë mundësi të reja për të aksesuar fonde të Bashkimit Europian.

Rama tha se do të ndërhyhet në rritjen e pagave të bashkive duke ndryshuar ndarjen në 5 nivele.

Edi Rama: Ne do të kalojmë në dy nivele dhe do të bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë.

Kryeministri vlerësoi prezencën kryebashkiakëve të opozitës duke i premtuar se qeveria nuk do të diskriminojë askënd.

Edi Rama: Mua ata s’më dukën të djathtë fare, më duken thjesht të zgjedhur që bëjnë punën e tyre. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit ishte ai që u ankua për diskriminim.

Pas mbledhjes, kryebashkiakët e djathtë u shprehën të kënaqur nga takimi, duke bërë të ditur se ato do të vijojnë për online.

Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë së Kavajës: Nuk kemi ndasi politike kur vjen puna për interesat e qytetarëve.

Hilë Curri, kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz: Asnjëri prej nesh nuk e ka parë në aspektin politik sepse problematikat që kanë qytetarët tanë janë më të mëdha se sa disa gjëra të vogla që duhet ndarje politike në këto raste.

Në konferencën për median, Rama u pyet edhe per kryetarin e Bashkisë së zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, duke deklaruar se do presin vendimin e Apelit për të realizuar zgjedhje ose jo.

Edi Rama: Zgjedhjet nuk i shpall Kryeministria, po Presidenti i vendit. Është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje që lidhet me qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe zotëria është qytetar i Republikës së Shqipërisë.

Sa i përket zërave për negociata me opozitën për rikthimin e normalitetit në Parlament dhe komisionet hetimore, Rama pati këtë koment.

Edi Rama: Kjo nuk është çështje negociatash, por të drejtash. Opozita apo opozitat kanë të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por duhet të jetë brenda kornizës së mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Çdo iniciativë e tillë ka miratimin tonë, nuk ka nevojë për bisedime.

Sa i përket komisionit të Reformës Zgjedhore, Rama tha se është një praktikë që ka dalë nga konteksti dhe me mbarimin e afatit, PS do të paraqesë në Kuvend një draft e nëse nuk miratohet me 84 vota atëherë, në zgjedhje do të shkohet me Kodin aktual.

Tv Klan