ramavsberisha

Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se projektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit është i dakordësuar me partnerët ndërkombëtarë dhe sipas rekomandimeve të “Venecias”, ndryshe nga sa deklaroi opozita një ditë pas publikimit të draftit.

Edi Rama – Kryeministër:

“Është drafti 100 përqind i dakordësuar me partnerët që kanë ndihmuar me ekspertizën e tyre, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj Sali çohu tani dhe thuaj të vërtetën për Byronë Kombëtare të Hetimit”.

Por ish – Kryeministri Berisha, duke sqaruar se u detyrua nga Kryeministri Rama që të diskutonte për Byronë, duke prishur kështu një marrëveshje për të mos folur në këtë seancë, tha se varianti i qeverisë bie ndesh me rekomandimin e Venecias, pasi sipas tij, kjo strukturë nuk mund të jetë në varësi të policisë.

Sali Berisha – Ish – Kryeministër:

“Nuk fola sepse mu tha që është një marrëveshje e dakordësuar, për të mos folur sot për këtë çështje. U bë drafti i dytë i cili pasqyronte një fakt, kryesimin nga prokurorë të ekipit Antikorrupsion, por e vendoste në varësi të Saje qorrit. Por unë absolutisht, 100 herë përpara ia jap Shullazit. Shullazit ia jap! Pa ndryshuar Kushtetutën me i dhënë Policisë atribute hetimore, kjo nuk mund të bëhet. ”

Kryeministri Rama e mohoi që, për Byronë e Hetimit, palët të ishin ende në proces negociatash me ndërkombëtarët.

Edi Rama – Kryeministër: 

“Është gënjeshtër komplet, që në variantin e dakordësuar, Byroja ka ndonjë lidhje me Kryeministrin. Në variantin e dakordësuar është që Byroja është një njësi hetimore, ku Prokurori i Përgjithshëm ka veton për drejtorin e hetimit dhe njëkohësisht ku hetimi kryhet në bashkëpunim me prokurorinë. S’kemi pas ne asnjë negociatë dhe asnjë kod, fare. Kemi mbyllur negociatën dhe kemi rënë dakord. Si qenkemi akoma në negociatë? Çfarë negociate? Kemi rënë dakord nëpërmjet partnerëve, për këtë draft. Ç’na tregon këtu kodin e heshtjes, kodin e fjalës? Kujt ia tregon këto përralla me mbret? ”

Rama e Berisha replikuan edhe për qëndrimet e Kryetarit të Partisë Demokratike, në lidhje me këtë draft.

Edi Rama – Kryeministër: 

“Që jeni parti që liderin e keni në shtëpinë e vet dhe kryetarin e keni për ta marrë me vete në takim me prindërit dhe prandaj është krijuar ky konfuzion. Uroj që ai që mer ti në takim me prindër, të ketë kurajo që këto që the ti këtu për ekspertët e reformës, t’ia thotë Sekretarit të Shtetit”.

Sali Berisha – Ish – Kryeministër:

“Sot je marrë gjatë me kryetarin e PD – së. E ke të shkurtër shumë jetën në politikë, se me dy fantazma në shpirt, një të Sali Berishës, e një tjetër të Lulzim Bashës, ti do thyesh qafën shumë shpejt”.

Tv Klan