Kryeministri Edi Rama do të takohet të hënën me kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të samitit të Berlinit. Zyra e kancelares ka publikuar axhendën ku takimi me kryeministrin Rama pason atë me shefin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Këto janë edhe dy takime të veçanta kokë më kokë që Merkel do të realizoje gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Liderët organizatorë, Angela Merkel e Emanuel Makron do të jenë të pranishëm në takimin me krerët e shteteve dhe kryeministrat Kosovës, Serbisë, Bosnjes, Malit të Zi, Kroacisë e Sllovenisë. Në vëmendje të samitit pritet të jetë edhe stabilizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes Facebookut, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri të ditura edhe kërkesat që do t’u parashtrojë liderëve të Gjermanisë e Francës.

Hashim Thaçi, president i Kosovës: Pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës. Theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Thaçi shkruan se do të kërkojë edhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pjesë e delegacionit nga Kosova do të jetë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është më kategorik dhe Thaçi në refuzimin e diskutimit për korrigjimin e kufijve, që po ashtu nuk mbështetet nga Merkel dhe Makron.

 

Tv Klan