Në një komunikim live në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se nga e Hëna, përveç transportit publik dhe aktiviteteve sportive e kulturore në ambiente të mbyllura, çdo gjë do të jetë e hapur.

Vazhdoj dëgjoj sojin e papërgjegjshëm të atyre që i bien fyellit në atë vrimë si në fillim, duke thënë se s’ka virus, se kjo po bëhet për protesta… këto broçkulla t’i lëmë dhe të fokusohemi tek shkenca dhe nëse duam konfirmim t‘i referohemi burimeve ndërkombëtare të informacionit. Të mos merremi me llafe, jo kudo është hapur, vetëm Shqipëria kështu e ashtu… Ne nga e Hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive e kulturore në mjedise të mbyllura, nuk do kemi asgjë tjetër të mbyllur. Transportin publik nuk e hapim dot, baret e restorante në ambiente të mbyllura, palestra… gjithçka tjetër do të jetë e hapur, që do të thotë që ekspozimi do  të jetë shumë i madh, sidomos me baret e restorantet e kemi thënë shpesh, sepse është kaq e rrezikshme që të ulesh në një bar duke mos respektuar rregullat e protokollin. E kuptoj se protokolli e ruajtja e distancave mes tavolinave është një pengesë, sepse nuk mund të kesh aq tavolina sa ke pasur, por është një domosdoshmëri. Pra hapemi tërësisht”.

Kryeministri Rama u shpreh se nëse numri i të infektuarve do të jetë si në këto dy ditët e fundit, do të jetë një problem.

“Lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë të jetë kështu do të jetë një problem, prandaj përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar, sjellja në raport me rregullat është deçizive sepse në kushtet e hapjes, nuk është për mua një çështje ekskluzive e policisë, shtetit, kontrolleve apo thjeshtë dhe vetëm e kornizës ligjore, por më shumë sesa të gjitha këto bashkë, çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetarë. Jemi në një situatë kur është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të tjerëve”.

Kreu i ekzekutivit tha se zonat që janë aktualisht të kuqe, do të vijojnë me masa kufizuese.

“E dyta, sigurisht që do të mbetemi besnik të numrave në përcaktimin e zonave të gjelbra dhe të kuqe dhe komiteti i ekspertëve sheh numrat dhe modeli i përcaktimit të zonave bazohet tek një sërë kompletesh. Nuk është aspak çudi që një zonë e gjelbër të kthehet në të kuqe nëse ka lëvizje të numrave, apo një zonë e kuqe të kthehet në zonë të gjelbër. Ju lutem shumë lërini broçkullat për kotësinë e gjithë kësaj, për faktin se ky mundim i madh ishte i tepërt se nuk ndodhi gjë… sepse nuk ndodhi gjë pikërisht se morëm këto masa. Shikoni pak, hapemi dhe fillojnë rritjet e numrave, kjo është reale nuk është lojë, nuk është shpikje e mendjeve djallëzore siç thonë ca gjithologë që s’kanë diplomë…. Dëshiroj ta bëj të qartë se në kushtet e zonës së kuqe do të vazhdojmë me kufizime… Fashat e orareve mbahen sepse kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta dhe quhen të tepërta daljet që s’janë të domosdoshme kur ti je në zonë të kuqe, këto zona vazhdojnë në mbrojtje por me hapje relative. Nëse nuk kemi fashën orare atëherë si në zonat e gjelbërta dhe të kuqe, baret dhe restorantet duhet të rrinë hapur dhe pastaj stimulojmë gjëra që nuk mund të stimulohen në këto momente. Ashtu dhe kufizimi i daljeve në fundjavë duhet pikërisht për këtë”.

Turizmi dhe transporti publik mbeten pikat kryesore në diskutim për hapje, pasi siç tha Rama janë potencial për përhapje të virusit. Kreu i qeverisë tha se do të kemi turizëm, por është thelbësor respektimi i rregullave dhe distanca.

“Jemi ende në kushte rezistence dhe do duhet të jemi në këto kushte dhe të kemi hapje të kombinuar edhe për një periudhë. Nuk është më faza një, por dy, dhe në të gjithë botën ka kufizimet e veta. Sot kryeministri i Malit të Zi kishte thirrur një forum online dhe kemi diskutuar për turizmin. Transporti publik dhe turizmi hanë dy rreziqet potenciale. Ne nuk mund të imagjinojmë që të mos kemi turizëm, por nuk mund të kemi një turizëm si vitet e tjera. Do të duhet të kemi disa kufizime sepse nuk mundet që për hir të 15 ditëve në plazh të mbushim spitalet sapo të kalojë vera dhe nuk mundemi që me dorën tonë të shkojmë drejt një rimbylljeje totale”.

Rama ka komentuar sërish masën administrative të marrë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, ndërsa tha se është një veprim i patolerueshëm.

 “Ajo që ndodhi me kryetarin e PD në Durrës dhe ajo mbrëmë në të ashtuquajturin shesh të mbrojtjes së identitetin kulturor, është përtej perceptimit që kjo të ndodhë. Ligji është njësoj për të gjithë, që do të funksionojë edhe për kreun e PD dhe për këdo që thyen ligjin. Këtu problemi është se çfarë pasojash mund të kemi nga këto sjellje të papërgjegjshme, prandaj mos merrni shembullin e kreut të PD, mund të jeni simpatizantë të tij lidhur me temat, por në asnjë mënyrë me sjelljet e tij. E papranueshme!”/tvklan.al