Kryeministri Edi Rama nuk e komentoi urimin e homologut të tij kosovar, Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku u pyet rreth kësaj çështje dhe për frazën që Kurti përmendi në mesazhin e tij duke thënë se institucionet duhet të bëjnë punën e tyre për të gjetur përgjegjësinë mbi dyshimet për procesin zgjedhor.

Blendi Fevziu: Po urimin e Albin Kurtit? Është i pari kryeministër i Kosovës që vjen voton në Shqipëri si qytetar shqiptar dhe ju ka uruar. Ka uruar duke ju thënë që institucionet duhet të bëjnë punën e tyre për të gjetur përgjegjësinë për blerjen për zgjedhjet.

Albin Kurti: Edhe sikur ta nxjerrësh sondazhin nuk kam asnjë koment.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën” prandaj uroi që si shqiptarë të shtohet bashkëveprimi në të gjithë sektorët gjatë deklaratës së tij drejtuar Ramës të mërkurën.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkruante Kurti në Facebook.

Por Kryeministri i Kosovës bëri thirrje që institucionet përkatëse të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket demokracia e votës.

“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan Kurti.

Albin Kurti votoi të dielën e 25 Prillit në Shqipëri. Ai më herët ka shprehur mbështetjen për 3 kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri që kandiduan në zgjedhje. Mes tyre ishte edhe drejtuesi i LVV-së në Shqipëri, Boiken Abazi i cili kandidoi në Tiranë./tvklan.al