Meta: Angazhim nga të gjitha strukturat shtetërore

Kryeministri Rama garanton se të gjitha strukturat e shtetit janë në funksion të plotë për të përballuar situatën e krijuar nga goditjet sizmike më të mëdha që kanë goditur vendit që prej 1979.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale kërkon kurajo për qytetarët që janë prekur duke humbur familjarët dhe banesat e tyre, por dhe solidaritet për ta nga qytetarët e tjerë.

Rama thotë se ka marrë mbështetjen e shumë vendeve të rajonit dhe BE për ta përballuar situatën dhe veçon ndihmën e ardhur nga forcat e emergjencës nga Kosova.

Presidenti Meta ka vizituar personalisht të gjitha pikat më të prekura nga tërmeti në Thumanë dhe Durrës. Gjatë vizitës në Spitalin e Traumës vetëm pak orë pas goditjes prej 6.3 ballë, kreu shtetit kërkoi angazhim të të gjitha institucioneve për të minimizuar numrin e viktimave dhe të lënduarve, ndërsa kujtoi se e kishte paralajmëruar një katastrofë të tillë natyrore.

Flamuri kombëtar i Presidencës është ulur gjysmë shtizë si shenjë nderimi i jetëve të humbura, ndonëse ende nuk ka një vendim për shpalljen e ditës së zisë kombëtare.

Lulzim Basha po ashtu ka vizituar disa nga zonat më të prekura nga tërmeti dhe nënvizoi se nuk do të bënte asnjë interpretim politik gjatë kësaj dite.

Ai i bëri thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit.

Shprehu vlerësimin për të gjitha strukturat e angazhuara dhe kërkoi që të gjithë sëbashku si një familje e madhe pa dallime t’ia dalin për pëballuar situatën.

Tv Klan