Aeroporti i Vlorës nuk është më për kryeministrin Edi  Rama thjesht një premtim elektoral. Vlonjatëve u tha se përmes këtij investimi, që pritet të nisë muajt në vijim, qeveria  do t’i japë fund tarifave tejet të larta të çmimeve që ofron i vetmi aeroport në vend, ai “Nënë Tereza”.

Investimet publike në zonën e Vlorës i sheh si një domosdoshmëri jo vetëm në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së banorëve, por edhe turizmit e punësimit. Si deputet i këtij qarku me modesti foli për një nga projektet që sikundër Sheshi “Skëndërbej” u renditën ndër më të mirët në Barcelonë.

Vlonjatëve u premtoi se nuk ka ndërmend të ndalet me investimet kur bëhet fjalë për zhvillimin turistik të kësaj zone, për ta kthyer atë një atraksion konkurrues në rajon.

Një thirrje të veçantë pati për emigrantët, të cilët i ftoi të bëhen pjesë e investimeve të qeverisë në sektorin e agroturizmit.

Pjesë e projekteve që qeveria ka parashikuar në këtë qark është edhe vijimi i ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës, dy bypaset; ai i Fierit dhe Vlorës, ndërtimi i portit të jahteve në Orikum, i terminalit të kroçerave, shndërrimi i Bulevardit “Ismail Qemali” në një shëtitore, rikualifikimi urban i qendrës historike të qytetit, si dhe nisjen nga puna të disa segmenteve rrugore, mes të cilave edhe rrugën turistike Orikum-Llogara.

Tv Klan