“Reshjet 2 herë më shume se 2010, por dëmtimet më të pakta”

Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër situatën e përmbytjeve në Shkodër. Kreu i qeverisë tha se edhe pse sasia e reshjeve ka qenë 2 herë më e madhe se në 2010-ën dëmet kanë qenë mjaft më të vogla.

Rama tha se pavarësisht problematikës situata është nën kontroll edhe për shkak të ndërhyrjeve të kryera më herët.

“Sasia e reshjeve sipas llogarive të fundit që unë mora nga mbrëmë është dyfishi i 2010-ës. Dhe fal gjithë punës që është bërë me infrastrukturës kulluese dhe falë gjithë menaxhimin tjetër që i është bërë kaskadës së Drinit, që në atë kohë u administrua në mënyrë kriminale, jemi në një situatë që mund ta konsiderojmë në kontroll”.

Ndërsa në inspektimin e kaskadës së Vaut të Dejës Rama u informua se shkarkimet kanë qenë minimale.

“Jemi në kapacitet të plotë të prodhimit dhe në minimum të shkarkimit”.

Edhe vizitën në Lezhë Kryeministri Rama e nisi me krahasimin me situatës aktuale me përmbytjet e vitit 2010.

“Pash që niveli i reshjeve është më i madh, dhe jo pak por dy herë më i madh se ai në vitin 2010”

Investimet e qeverisë në zonën e Gjadrit me hapjen e kanaleve kulluese dhe forcimin e barrierave mbrojtëse bënë që sipas Ramës të frenohej më e keqja.

“Po pastrimi që i është bërë kanalit është fondamental, të mos ishte bërë pastrimi i kanalit do shikonim çfarë do të thotë përmbytje për shkak të njeriut”.

Në takimet me banorët nuk la pa shigjetuar edhe opozitën.

“Se ti je demokrat i zgjuar, prandaj je lëkundur. Ti e kujton shumë mirë lëkundjen e madhe”.

Rama tha se edhe ato pak banesa që janë përmbytur kanë ardhur për shkak të ndërtimit pa kriter ndër vite në zona ku është e ndaluar.

Në Lezhë Rama pa nga afër edhe një zonë të dëmtuar nga rrëshqitjet e dherave duke apeluar për t’u qëndruar afër familjeve të prekura.

Tv Klan