Marrja e një prej vendeve të përkohshme në Këshillin e Sigurimit në OKB nga ana e Shqipërisë bëri bashkë në një pritje zyrtarë diplomatë të huaj, ministra, ish-ministra, akademikë, deputetë e shumë personalitete të tjera këtë të martë.

Me rastin e kësaj ceremonie mbajti një fjalë edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se beson që kjo dekadë do të jetë ‘dekada ku dielli të shkëlqejë për të gjithë shqiptarët’. Kreu i qeverisë u ndal edhe njëherë tek BE, ku tha se ‘nuk është koha e duhur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt unionit’.

“Që kjo dekadë do të bëhet dekada e ngjitjes në një majë ku dielli të shkëlqejë për të gjithë Shqiptarët. Jetojmë në kohë jo të lehta ku për ne shqiptarët u desh të përballemi me tërmetin dhe pandeminë. Them se është një tjetër mësim se çfarë mund të bëjmë duke punuar më shumë, duke besuar më shumë për të nxjerrë nga vetja më të mirën tonë. Tërmeti do të jetë jo vetëm një kujtim i së kaluarës së shpejti për çdo familje që humbi shtëpinë, por një shtysë në kalimin e pengesave që kemi përpara. Edhe pandemia ishte një sfidë më vete, por tregoi që Shqipëria mund të ngjitet lart. Nuk është tërmet, as një pandemi, por nuk është as det i qetë politika europiane sot. Për pasojë nuk është koha më e mirë për rrugëtimin tonë drejt BE. Më bëri një vërejtje të bukur dhe kuptimplotë një mendje e kthjellët që kishte dëgjuar në konferencat ku kam folur unë.  “Vlerat që ti i quan europiane tha kur ti flet për BE, nuk janë vlera ekskluzive për BE, por janë vlera universale, ku vetë BE përpiqet t’i mishërojë, siç përpiqen demokracitë e tjera përfshirë edhe Shqipërinë”. Shumë e vërtetë në fakt se po të ishte që vlerat universale nuk do të ishin një sfidë edhe për vetë Be-në, sot fjala vjen Kosova nuk do të ishte e penguar në lëvizjen e lirë. Shqipëria dhe RMV nuk do të ishin ende për të pritur konferencën ndërqeveritare në zoom, Ballkani nuk do ishte i ndarë deri tek vaksinat kundër vdekjes nga BE, megjithëse jeton fizikisht i rrethuar nga kufijtë e BE-së. Kjo në asnjë mënyrë për të mohuar se është më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE-së se sa nga telat me gjemba brenda të  cilit ishte ky vend kur u anëtarësua në OKB”, tha Rama. /tvklan.al