Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit që pati me kryebashkiakët për pastrimin foli edhe për një çështje tjetër që është ndotja akustike. Sipas kreut të qeverisë, turizmi po shkatërrohet me muzikë. Ai tha se bashkitë duhet të përcaktojnë pikat ku mund të lejohet muzika e lartë.

“Na duhet një qëndrim i prerë për muzikën. Po shkatërrojmë turizmin me muzikë. Është e paimagjinueshme që çdo lloj lokali të ketë decibelë maksimalë dhe ta kthejë gjithë, në bashkëpunim me të tjerët, ta kthejë gjithë pjesën e jetueshme të mbrëmjes apo drekës në një ferr audio. Duhet të përcaktoni ju pikat ku do lejoni muzikën dhe duhet ndaluar në pjesët e tjera. Nuk ekzsiton në asnjë vend normal. E kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur që ky është një probelm i madh shumë që ia krijojmë vetes me muzikën”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se Lungomarja e Vlorës është shëmbëlltyra e “ferrit” audio.

“Nuk mund të jetë dot kudo, kudo, kudo, siç është në Lungomaren e Vlorës që është shëmbëlltyra e ferrit audio. Nuk ka asnjë sens. Mjafton që ta aprovojnë dhe ata që thonë duam muzikë, muzikë, muzikë do ta shohin që do të keni më shumë klientë”, tha Rama./tvklan.al