Rama: PS nuk do jetë mbulesë për askënd që drejtësia e re do kërkojë hesapë




Rama: PS nuk do jetë mbulesë për askënd që drejtësia e re do kërkojë hesapë

20:26 12/06/2021

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se flamuri i PS nuk do të bëhet mbulesë për asnjë zyrtar, qoftë ai ministër apo drejtor, nëse drejtësia e re do kërkojë hesapë. Në fjalën e mbajtur në Kongresin e jashtëzakonshëm, kreu i qeverisë u shpreh se partia që ai drejton mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do ta çojë deri në fund. Fokusi në mandatin e tretë qeverisës Rama tha se do të jetë tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë.

Të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e punës në administratë. Të çlirojmë sektorin publik. Të zhdukim arrogantët, parazitët dhe injorantët, që futën në zyra me garanci interesash. Të mos hamë shtetin pas shpine. Flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor, shef, nëse drejtësia e re do kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë, por mban përgjegjësi, për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: Ik sqarohu përpara drejtësisë me avokatin tënde, sepse PS nuk është zyrë avokatie  e asnjërit prej ne, por është mbështetësja, garantja e reformës në drejtësi. PS mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do e çojmë deri në fund. Të fokusohemi tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë. Ne duam të forcojmë shtetin ligjor. Kam parasysh tamin dhe tam tamin e përditshëm, që e ka bërë politikën një dallavere për shqiptarët”./tvklan.al





Të ngjashme