Administratorja e Përgjithshme e USAID, e vlerëson si nismë të zgjuar, atë për futjen e kurrikulave edukuese mbi besimet fetare në programet e shkollave.

Vlerësimin Gayle Smith ia ka shprehur Kryeministrit Edi Rama në takimin që kanë zhvilluar në Washington.

Në këndvështrimin e Smith, nëse brezi i ri, kudo në botë, do të jetë i edukuar mbi besimet fetare, do të jetë shumë më e vështirë për të rënë pre e manipulimeve ekstremiste, ç’ka sot për sot, është një problem madhor, kudo.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, thuhet se Rama e njohu zonjën Smith me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe kërkoi nxitjen e bashkëpunimit dhe rritjen e mbështetjes nga ana e USAID, për Qendrën Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të ndërtohet në Tiranë, si edhe vazhdimin e modernizimit të shërbimeve publike në Shqipëri, që ai e vlerëson si një mënyrë efikase për të luftuar korrupsionin.

Elja Zotka/Tv Klan