Rama thirrje partive politike: Marrëveshje si do të bëjmë fushatën



Rama thirrje partive politike: Marrëveshje si do të bëjmë fushatën

20:36 22/02/2021

Ironi me Presidentin: Imagjinoni të lerë Mercedesin dhe të tërbojë kuajt

Kreu i qeverisë Edi Rama u ka bërë thirrje partive politike më të mëdha në vend që të arrijnë në një marrëveshje se si do të realizohet fushata për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai u bëri thirrje pronarëve të lokaleve që të mos grumbullojnë njerëz dhe politikanë për zgjedhje pasi do të ndëshkohen.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse shtrëngohen masat në të ardhmen, do të ketë akuza mbi vetë atë si një përpjekje për të ndaluar opozitën në zgjedhje.

Kreu i qeverisë u shpreh se duhet vetëndërgjegjësim nga politika për këto raste ndërkohë që nuk la pas ironitë ndaj Presidentit Ilir Meta.

“Unë mendoj që ata të cilët u hapi dyert e lokaleve këtyre politikanëve, nuk duhet t’ua hapin dyert sepse ata do të paguajnë. Janë ata që dëmtohen, janë ata që rrezikojnë t’u mbyllet biznesi. Janë ata të parët që duhet të refuzojnë këtë gjë. Nga ana tjetër kur mendon që Presidenti, babai i gjithë kësaj familje, rojtari i të gjitha palëve, garanti i shëndetit kushtetues të këtij vendi është i pari që jep shembullin katastrofik, kjo është fatkeqësi. Unë nga ana ime, ajo që bëj është që t’ju kujtoj çdo ditë të gjithë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që humbasin nga kontakti në më shumë se 10 vetë përballë shëndetit të njerëzve dhe përball kësaj sfide të madhe. Në djall vafshin të gjitha, kjo është A dhe Zh. Prandaj personalisht nuk bëj në asnjë moment kapërcime të kësaj vije. Nga ana tjetër është një sfidë shumë e madhe dhe unë po mendoj se di si mund të realizohet në kushtet e kësaj lloj hapësirë shumë të ngushtë njerëzillëku në arenën politike që forcat politike të paktën forcat kryesore që janë në garë të merren vesh që çfarë do bëjnë dhe si do bëjnë deri më 25 Prill. Mos harroni që është automatikisht se çdo shtrëngim masash do të interpretohet si një regjim diktatorial i Edi Ramës për të zvogëluar hapësirën e fitimtarëve që po vijnë për të marrë pallatin e brigadave dhe për t’u shtrirë në krevatin e perandorit. Nuk është problemi i kostos personale se ato një më pak, një më shumë, por problemi i efektit. Mund ta shtrëngosh masën, por nëse nuk ka vetëdije politike dhe përgjegjshmëri nga ata që me demek përfaqësojnë popullin, atëherë mund ta shkruash masën dhe mund të mos funksionojë. Kështu që jemi duke e diskutuar do shohim nëse do gjejmë një rrugë që të merremi vesh duke iu referuar ekspertëve. Natyrisht edhe duke marrë mendimin e ekspertëve të tjerë që nuk janë në komitetin e Ekspertëve se mua më rezulton se me ndonjë përjashtim që është ndëshkuar ndonjë përfaqësues i shumicës, i respektojnë. Atëherë le të flasin dhe ekspertët e tjerë, le të kemi një ide të përbashkët si do të zhvillohet kjo fushatë. Si do të jenë kornizat e veprimit në komunikimin me publikun që të ketë një balancë, një marrëveshje, në kuptimin për rregullat dhe të gjithë t’i respektojmë për rregullat që biem vetë. Ta shohim nëse do mund të bëjmë diçka në këtë drejtim se do ishte mirë për gjithë. Një fushatë që del nga kontrolli, parafytyroni që presidenti mund të lerë Mercedesin që përdor pa eskortë ku shkon në ato takimet misterioze, mund të marrë kalin, të angazhojë 200-300 nga këta të dekoratave tu japë nga një shpatë të nisen me kuaj dhe me shpata, atëherë është e vështire që ta frenosh po nuk pati konsensus si ta frenosh këtë. Rreziku për kuajt bëhet imediat se mund të tërbohen dhe kuajt. Kalojmë në një situatë ku tërbimi i Presidenti tërbon edhe kuajt”, tha Rama.

Rama: Nuk do të kërkojmë vaksinat ruse dhe kineze

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare ka refuzuar vaksinën kineze dhe ruse. Ai deklaroi këtë të hënë se shteti shqiptar nuk do të hedhë hapa formalë drejt këtyre dy lloje vaksinash.

“Nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve sepse jemi të vetëdijshëm se janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojnë në rezultat. Për më shumë nuk dua të komentoj”.

Kryeministri Rama pati sërish kritika ndaj Bashkimit Europian. Sipas tij, Maqedonia u detyrua që të kthente sytë nga Kina dhe Rusia për shkak të mungesave të dozave. Një tjetër shembull sipas tij është edhe Kosova. Kreu i qeverisë shtoi se sigurimi i dozave të vaksinave nuk është çështje parash dhe siguroi se do të sigurojë vaksinat për shqiptarët, por problemi qëndron me sasinë e vogël që është në dispozicion.

“Është fatalitet europian që Maqedonia kthen sytë nga Kina dhe Rusia në mungesë të dozave për të filluar. Kështu mund të numëroj shumë vende të tjera. Përfshirë vetë Kosovën. Sidoqoftë, duke e parë gjënë në dinamikë, të jeni të sigurt që bëmë lëvizjet  mundshme për të siguruar vaksinën. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme. Mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe mjafton të Shikojmë që të dhënat me efektet e saj janë shumë pozitive. Po kështu fjalët që thuhen për vaksinën ruse janë fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv, ama shikoni vendet që janë shprehur se e kanë kthyer kokën në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë vaksinën akoma. Këto analiza i bëjmë. Nuk është pozicion refraktar. Një gjë duhet ta dinë të gjithë. Nuk është çështje parash. Çmimet e vaksinave po rriten sepse kërkesat janë të ethshme dhe oferta shumë e vogël. Sado të rriten çmimet e vaksinave nuk ka mundësi që të lemë një dozë të vetme në dispozicion dhe të lemë një shqiptar të presë sepse çmimi është rritur”.

Po ashtu Rama argumentoi se vaksinat ruse dhe kineze nuk janë prodhuar në sasi të mëdha dhe vendet që i kanë porositur po ashtu kanë pasur probleme. Sipas kreut të qeverisë sigurimi i dozave të vaksinës është çështje politike, ekonomike, tregtare mes vendesh, por edhe raportesh personale mes drejtuesve të shteteve të ndryshme.

“E kam ndjekur dhe këtë debat le të themi ose diskutim ose muhabet dhe dua të bëj një sqarim. Askush të mos mendojë që vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh dhe të paraqitesh e të paguash për ti marrë. Nuk është kështu. Edhe në një shtet që ka deklaruar në parim marrëveshje nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë edhe për ato vaksina janë të kufizuara. Mbase është keqkuptuar apo interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate dhe nuk është adekuate ajo që unë kam thënë duke harruar atë që kam thënë në krye të herës q ne nuk kemi asnjë arsye në botë, s’kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalitetin e shkencëtarëve rusë dhe kinezë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim. Kini parasysh që janë vaksina ende të paaprovuara në nivelin e OBSH. Kjo nuk do të thotë qne po i rrimë larg se janë të aprovuara. Ne nuk mendojmë dhe s’kemi arsye që ta mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE-në kemi ndonjë precedencë apo prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyet janë ato që thashë. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës, por kjo është luftë politike në vetvete, jo për ne, në të gjithë planetin bëhet luftë politike për vaksinën. Është një luftë ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Sigurisht pas këtyre të dyjave është edhe një luftë që varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një tjetër, dhe nga raportet personale. Duket çudi, por varet dhe nga raportet personale”.

Asnjë rast shqetësimi nga personat e vaksinuar, Rama flet nga eksperienca: Antitrupat…

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se nga të dhënat e deritanishme nuk ka pasur persona që kanë pasur shqetësime në lidhje me kryerjen vaksinën. Kreu i qeverisë foli nga eksperienca e tij, duke thënë se antitrupat i janë zhvilluar në mënyrë mbresëlënëse.

“Nga të gjitha të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast të asnjë lloj shqetësimi për personat e vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”.

Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë se brenda muajit Mars pritet të bëhet lëvrimi i 40 mijë dozave nga Pfizer. Ai u shpreh se po punohet për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një vend mik për të marrë doza vaksine nga AstraZeneca. Po ashtu Rama u shpreh se vaksinimi i popullatës për 14 muaj është i realizueshëm.

“Brenda muajit Mars do të bëhet lëvrimi i 40 mijë e ca doza. Vazhdojmë përpjekjet për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi 300 mijë dozash me AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim intensiv me dy shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit. Përkundrazi të rrisim tempin progresivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë popullatën brenda 14 muajve. Ky objektiv është ambicioz në kushtet ku ne ndodhemi. Kam besim që më shpejt se vonë do të kemi lajme shumë të mirë. Deri tani situata është kjo. Vazhdojmë furnizimet me Pfizer. Vazhdojmë vaksinimin tashmë të shtrirë në të gjithë territorin të bluzave të bardha. Po vaksinojmë të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve dhe po vazhdojmë me kategorinë +80 vjeç. 70% e Prodhimit të Përgjithshëm të Vaksinave janë në duart e 10 shteteve”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhej në Rinas  ku sëbashku me ministren Ogerta Manastirliu dhe ministrin Arben Ahmetaj pritën ardhjen e 8190  dozave të reja covid./tvklan.al






Të ngjashme