Dy partitë më të mëdha opozitare, partia Demokratike dhe LSI i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi të shtyjë mbledhjen ku parashikohet të raportojnë për kriminalitetin në vend Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarët e grupeve të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili shprehin kundërshtimin e opozitës për zhvillimin e mbledhjes pasi ndryshe nga sa parashikon neni 29, raportimi është futur në rend dite pa qenë më parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, i miratuar deri në fund te sesionit.

Opozita thotë edhe caktimi i programit dhe kalendarit të Komisionit nga kryetari Ulsi Manja pa u këshilluar më parë me nënkryetarin Alibeaj, siç e detyron neni 33 i Rregullores së Kuvendit, është në shkelje të Rregullores.

Në kërkesën drejtuar Ruçit, kryetarët e grupeve të opozitës theksojnë se dy raportet janë voluminoze dhe duan një kohë të mjaftueshme për shqyrtim serioz. Për më tepër, ata vënë në dukje se dy anëtarë të opozitës, përfshirë nënkryetarin janë me detyrë nga Kuvendi jashtë vendit.

/tvklan.al