Delegacioni i BE-së dënoi me forcë këtë të premte rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri.

“Nuk ka asnjë justifikim për përdhunimin ose ndonjë formë të abuzimit seksual. JO do të thotë JO. Mbroni vajzat në Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret”, thuhet në një deklaratë të BE-së.

Reagimi i BE-së vjen pasi pesë persona që akuzohen se kanë përdhunuar një të mitur në fshatin Tarazh të Mirditës janë lënë në burg nga gjykata.

Ata janë Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nik Lleshi, dhe Adriano Gjikola, të cilët janë njohur me masën e sigurisë pas akuzës për përdhunimit të vajzës 15-vjeçare.

Të arrestuarit janë nga i njëjti fshat me vajzën e mitur ndërsa i pari që ka abuzuar me të është 32-vjeçari Artan Kaçorri. Pasi ka abuzuar seksualisht, ai kishte bërë video e foto intime, të cilat më pas ua ka shpërndarë edhe 4 personave të tjerë, mes të cilëve dhe nipit të tij 17-vjeçar.

Përmes shantazhit me video dhe foto, 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën duke kryer marrëdhënie seksuale disa herë. Pas denoncimit, organi i akuzës ka mesazhet dhe pamjet shantazhuese, në celularin e vajzës si provë kundër të arrestuarve./tvklan.al