Pasuritë e paluajtshme tashmë mund të regjistrohen edhe nëse mungon përcaktimi i qartë i kufirit për pronën në fjalë. Vendimi më i fundit i qeverisë eliminon hendekun ligjor që ka ekzistuar në lidhje me regjistrimin e pronave problematike për sa i takon të dhënave mbi sipërfaqen.

Të interesuarit do të mund të formalizojnë pronat e tyre pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda 30 ditëve. Drejtori juridik i zyrës qendrore të Regjistrimit Eldion Laze sqaro se 3 janë dokumentet kryesore që duhet të disponohen për të përfituar hipotekën: akti i fitimit të pronësisë, plan-vendosja e pasurisë dhe deklarata e pronarëve e kufitarë.

Eldion Laze: “Më konkretisht qytetarët të cilët zotërojnë dokumentet e ligjshme të pronësisë, pra të cilat i kanë pasur deri më sot, por nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë, duhet të dorëzojnë një kërkesë ashtu siç bëjnë me llojet e tjera të shërbimeve në zyrën e regjistrimit, duhet të dorëzojnë një plan-vendosje të pasurisë të hartuar nga një topograf, apo nga një inxhinier me licencë, me të cilën pretendojnë sipas tyre se ku e kanë të pozicionuar gjeografikisht pasurinë e tyre. Duhet të dorëzojnë edhe deklaratat e pronarëve e kufitarë.”

Pika më e nxehtë mendohet të jetë marrja e deklaratës nga fqinjët për shkak të mosmarrëveshjeve, por sipas ligjit nëse pronarët kufitarë nuk argumentojnë brenda 45 ditësh mos lëshimin e deklaratës për fqinjin e tyre, atëherë këtij të fundit i merret e mirëqenë kufiri i propozuar. Nga zbatimi  i këtij vendimi pritet të përfitojë një numër i konsiderueshëm personash në zonat urbane./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Gentian Koçi