Një ditë para ndeshjes me Bjellorusinë, trajneri i kombëtares Edy Reja ka deklaruar se është e vështirë të bëjë eksperimente me formacionin. Ai u shpreh gjatë konferencës së zakonshme për shtyp se lojtarët e rinj të ftuar në kombëtare do ta kenë më vonë momentin e tyre për të provuar veten.

“Besoj se do të luaj me lojtarët e zakonshëm, sepse nuk kemi kohë për eksperimente. Kemi humbur miqësoret në Mars dhe Qershor. Do të ketë kohë edhe më vonë për lojttarët e rinj për t’i provuar”, tha Reja.

Trajneri italian u shpreh i shqetësuar për gjendjen fizike të lojtarëve megjithatë tha se është i kënaqur me punën që është bërë deri më tani. Për gazetarët e huaj, Reja tha se objektivi është fitimi i grupit, mirëpo 4 pikë në dy ndeshjet e para do të ishin një rezultat i mirë për të duke parë edhe gjendjen e skuadrave të tjera.

Edhe kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj u shpreh se tre pikë në ndeshjen e parë do të shtrojnë rrugën për të ardhmen. Megjithatë ai u shpreh se skuadra është gati për të fituar çdo ndeshje.

“E rëndësishme është ta fillojmë me këmbë të mbarë ndeshjen e parë. Janë shumë të rëndësishme tre ndeshjet e para për të ardhmen. Jemi gati të luftojmë për tre pikë me të gjithë skuadrat”.

Sa i përket prurjeve të reja në ekipin kombëtar, Hysaj tha se janë përshtatur me pjesën tjetër. Edhe shkodrani sheh me shqetësim pjesën fizike.

“Jemi afruar më shumë këtë periudhën e koronavirusit. Dua të falënderoj Mërgimin dhe Bashën për atë që kanë dhënë për kombëtaren sepse me të vërtetë e meritojnë. Çdo vit do ketë ardhje të reja dhe ikje sepse, futbolli kështu është. Jemi munduar që të fusim të rinjtë në grup. Shyqyr janë lojtarë profesionistë dhe e kuptojnë si duhet të lëvizin. Forma imë nuk është 100% kam vetëm një javë që kam nisur stërvitjen dhe ky mund të jetë problem. Skuadra kundërshtare ka nisur kampionatin, ne akoma jo. Kështu që, do të kemi pak probleme në formën fizike”, tha Hysaj./tvklan.al