Rey Manaj shënon për Barcelonën B


Rey Manaj shënon për Barcelonën B

13:54 08/03/2021

Asistojnë Ramadani e Balaj, nota pozitive për Hysaj e Rroca

Futbollistët shqiptarë në Europë kanë bërë paraqitje të kënaqshme këtë fundjavë.

Rey Manaj ka lënë sërish shenjë, teksa shënoi gol në fitoren 4-2 që skuadra B e Barcelonës mori në shtëpi përballë Llagostera.

Një gol tepër i bukur për nga mënyra e realizimit, por dhe me mjaft vlera, pasi ishte ai i kthesës për katalanasit në atë takim dhe përmbysën disavantazhin 2-0 të miqve.

Goli i 8-të për Manaj në këtë sezon, që po ndihmon Barcelonën B për të qenë në pozicionet e larta në Segunda Divizion B.

Pak minuta në fushë dhe Bekim Balaj dha asist në barazimin 1-1 që Sturm Graz mori në transfertën e Tirol.

Shkodrani u fut në minutën e 82-të dhe 10 minuta më pas, shërbeu për Yaboah, i cili sigloi rezultatin përfundimtar 1-1 në këtë takim.

Asist në fitoren e skuadrës së tij dha edhe mesfushori, Ylber Ramadani. 24-vjeçari shërbeu për Onugkha, i cili vulosi fitoren 2-0 të Vejle ndaj Odense.

Paraqitje pozitive bëri dhe Elseid Hysaj në fitoren që Napoli mori ndaj Bolonjës.

Shkodrani hyri nga stoli në pjesën e parë, duke bërë një ndeshje të mirë.

Eurosport e vlerësoi me notën 6 performancën e tij, të cilën e komenton si tepër konstante në krahun e majtë të mbrojtjes.

Notë të kënaqshme mori dhe mesfushori, Eduard Rroca.

Ish-futbollisti i Kukësit ishte për 90 minuta në fushë gjatë barazimit 0-0 që Istanbulspor mori në shtëpi ndaj Keciorengucu, duke u vlerësuar me notën 7.9 nga specialistët.

Klan News












Të ngjashme