Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u prezantua projektin i ri të ekipeve Kombëtare të vajzave.

Nga FSHF u vendos që trajneri i ekipit Kombëtar A, Armir Grima, të jetë edhe Koordinatori Teknik i projektit të ri për ekipet Kombëtare të vajzave. Luçije Gjini do të marrë drejtimin e Kombëtares U-19 të vajzave, ndërsa Cyme Lulaj drejtimin e Kombëtares U-17. Daniela Kodra do të jetë trajnere e përfaqësueses U-15.

Në këtë projekt të ri, përfshihet një metodë unike pune, jo vetëm për lojtaret, por edhe për pjesëtarët e ndryshëm të stafit, të cilët do të përfshihen në trajnime të shpeshta dhe praktika informuese, me objektiva teknike, taktike, atletike dhe të kulturës së përgjithshme.

Rritja e cilësisë dhe zbulimi i talenteve është objektivi kryesor. Drejtoria Teknike e FSHF-së ka themeluar edhe një departament të veçantë për të mbështetur dhe zhvilluar këtë projekt, ku do të japin kontributin e tyre pjesëtarët e stafit teknik të Kombëtares A për djem.

Në përgatitjen atletike përgjegjës do të jenë Luka Laurenti dhe Iris Selimi, në sektorin e video-analizës, Alariko Rosi, në sektorin e mjekësisë sportive, Xhanluka Stesina dhe në sektorin e portierëve, Erion Meta.

FSHF do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha klubet e futbollit të vajzave për të arritur objektivin e përcaktuar.

Klan News