Blinken takon Netanjahun për sulmin në Rafah

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet këtë të premte, për të votuar rezolutën e Shteteve të Bashkura, ku për të parën herë bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Rezoluta kërkon që krahas armëpushimit, Hamasi të lirojë të gjithë pengjet izraelitë që mbeten ende në duart e tyre. Besohet se në duart e Hamasit janë ende 130 izraelitë të marrë peng në sulmin e 7 Tetorit në jug të Izraelit.

Deri më tani, Uashingtoni i ka hedhur poshtë të gjitha rezolutat e paraqitura nga vendet e tjera pjesëtare të Këshillit të Sigurimit, ku është kërkuar armëpushim. Administrata Bajden ka ashpërsuar tonet ndaj Tel Avivit, qëkur kryeministri Benjamin Netanjahu miratoi planin për sulmin tokësor në Rafah, qytetin e fundit ku nuk ka shkelur këmba e ushtarëve izraelitë. Uashingtoni është kundër sulmit tokësor në Rafah, pasi përllogaritet që aty të jetë strehuar gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës e shpërngulur nga banesat e tyre pas luftës së ashpër hakmarrëse izraelite kundër Hamasit.

Netanjahu nuk heq dorë nga sulmi në Rafah, që e konsideron si betejën përfundimtare për spastrimin e Rripit të Gazës nga Hamasi. Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken u takua këtë të premte në Tel Aaviv me Netanjahun në vizitën e tij të 6 në Lindjen e Mesme që prej nisjes së luftës në Rripin e Gazës. Lufta më shumë se 5-mujore i ka marrë jetën gati 32 mijë palestinezëve, shumica gra e fëmijë.

Tv Klan