Partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri Nikola Gruevski, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Me afro 46.89% të votave të siguruara koalicioni për një Maqedoni më të mirë do të marrë afro 64 vende dhe shumicën në parlamentin e ri prej 120 deputetësh.

Opozita me në krye Lidhjen Socialdemokrate e pranoi humbjen, pasi sigurojë vetëm 22.7% të votave. Beteja më e ashpër mbahet tani mes partive shqiptare. Në mbrëmjen e së dielës rezultatet paraprake flisnin për një fitore të PDSH-së të Menduh Thaçit, por tani sipas agjencisë Fokus Fen, që i referohet të dhënave më të fundit të komisionit zgjedhorë shtetërorë, duket se BDI dhe PDSH janë shumë pranë njëra-tjetrës.

PDI ka marrë 109.940 dmth rreth 10.76%, ndërsa PDSH 101.123 vota dmth 9.89%. sipas përllogaritjeve të 2-ja partitë mund të zënë nga 14 dhe 13 vende në parlament.

Në këto zgjedhje PDSH ka marrë 31 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2006. Ndërsa BDI 3500 më pak. Një ditë më parë kreu i kësaj partie u shpreh se nuk do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve në disa zona. Ndërkohë që KSHZ-ja ka thënë se do të rivotohet në 35 qendra zgjedhore.

Ali Ahmeti: “Ne e kemi bërë deklaratë, kemi bërë komunikatë që për ne rezultatet janë të pa pranueshme të zgjedhjeve në zonën numër 6, si dhe në komunën e Sarait dhe kërkojmë ripërtëritjen e procesit”.

Vëzhguesit e OSBE-së në Shkup i kanë vlerësuar zgjedhjet si jashtë standardeve ndërkombëtare. Aktet e dhunës e kanë bërë të pamundur procesin e votimit në shumë zona të banuara nga shqiptarët, thotë OSBE në komunikatën e saj për shtyp. Organizata kritikon autoritetet se nuk mundën të parandalonin këto akte, por edhe frikësimet e votuesve, mbushjen e kutive të votimit dhe manipulimin e rezultateve. Incidentet u dënuan dhe nga PDSH e Menduh Thaçit.

Menduh Thaçi: “Jam në anën e drejtësisë. Drejtësia çon drejt zotit Ali Ahmeti, drejtësia çon drejt njerëzve të atij edhe të gjitha informacionet e ministrisë së brendshme, vëzhguesve, diplomatëve ndërkombëtarë janë, se njerëzit e atij kanë qenë që kanë nxjerrë kallashnikovë dhe kanë gjujtë edhe me polici edhe policinë e kanë gjujtë edhe qytetarët”./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle