I bashkohet partisë së Murrizit “Lëvizja Demokratike Shqiptare”

Vetëm pak orë pasi Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në gjirin e së djathtës po dalin disa parti të reja konkurruese në zgjedhjet e 25 Prillit është ish-numri dy i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, që më 28 Tetor prezanton “Lëvizjen për ndryshim”. Ish-kryeparlamentarja demokrate shprehet e bindur se nuk do të tradhtojë parimet e forcës ku u angazhua për më shumë se dy dekada.

Ajo nuk i kursen rezervat për sulme, që sipas saj, po bëhen nga selia blu ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Pjesë e formacionit të ri politik Lëvizja për Ndryshim pritet të jenë të rinj dhe pedagogë të paangazhuar në politikë.

Më 19 Tetor deputetët Myslym Murrizi, Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Arlind Çaçani regjistruan në gjykatë partinë e tyre Lëvizja Demokratike Shqiptare. Edhe ish-nënkryetari demokrat Astrit Patozi ka krijuar partinë e re Bindja Demokratike, e cila madje konkurroi në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të vitit të kaluar. Ndërkaq ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka thënë se ato lëvizje që do krijohen nuk janë parti të dala nga PD, por janë parti që kryeministri Edi Rama, i ka krijuar i tmerruar nga humbja.

Zhvillimet brenda kampit blu vijnë pasi Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për Deputet dhe Kryetar Bashkie, në Partinë Demokratike, përfundoi dy ditë më parë fazën e tretë të filtrimit të kandidatëve. Ajo që ra në sy në fazën e fundit të filtrimit të kandidatëve, ishte edhe pikëpyetja e vënë mbi disa figura të spikatura në selinë blu, si Klevis Balliu, Endri Hasa, Ervin Salianji, Luan Baçi, Tritan Shehu, Izmira Ulqinaku.

Pas lajmit se 13 ish-deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë iu shty aprovimi për në një moment të dytë, kryedemokrati Lulzim Basha i ka pritur në një takim tek e tek të gjithë kontestuesit e komisionit Ruli. Nuk dihet nëse kreu demokrat do të pengojë largimin drejt lëvizjeve të reja të njerëzve që ai vetë ka promovuar në këto vite opozitë.

Klan Plus