Legjendat e futbollit bashkohen te Gimnasia

Merkato e futbollit na ka mësuar shpesh me lajme të jashtëzakonshme dhe përjashtim nuk pritet të bëjë as dritarja e kësaj vere. Këtë herë bëhet fjalë për një rikthim të magjistarit të futbollit, Ronaldo de Assis Moreira, i njohur nga të gjithë si Ronaldinho.

Ylli brazilian ndodhet aktualisht në arrest shtëpie në Paraguaj, por ekziston mundësia për tu vënë nën urdhrat e një prej legjendave të futbollit si Diego Maradona.

Sipas asaj që raportojnë mediat argjentinase, Maradona i ka bërë një kërkesë zyrtare drejtuesve të Gimnasia që të rikthejnë në aktivitet Ronadinhon, duke i ofruar një pagë marramendëse.

Kushtet financiare ende nuk bëhen të ditura, por idea duket se ka fituar simpatinë e ish yllit brazilian, që pavarësisht se sapo ka festuar 40-vjetorin e lindjes është gati për të rindezur magjinë e tij në fushën e blertë.

Do të ishte vërtetë interesante të shikoje edhe njëherë Ronaldinhon në fushë, aty ku u bë i njohur, duke veshur fanella të rënda si ajo e Milanit, PSG apo Barcelonës.

Tv Klan