Cristiano Ronaldo dhe Real Madrid fituan çerekfinalen e parë të Champions League. Në fushën e Juventusit Ronaldo shënoi dy herë, ndërsa reali fitoi 3-0 pas golit të shënuar edhe nga Marcelo. Portugezi është vërtetë heroi i ndeshjes. Shënoi që në minutën e tretë një gol që nuk e besoi as Gigi Buffon.

 Në pjesën e dytë Juventus u përpoq të reagonte por Ronaldo dhe shokët e tij ishin shumë më të shpejtë madje portugezi me golin e dytë të shënuar fitoi edhe respektin e tifozëve të Juventus.

“Ishte një gol madhështor, ishte fantastik. Nuk e prisja të shënoja atë gol. Për mua ishte një moment i veçantë. Falënderoj tifozët e Juventusit. Ajo që bënë për mua ishte fantastike. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë në karrierën time”, tha Ronaldo.

Portugezi u vlerësua edhe nga vetë Buffon.

“Lojtar i një niveli të jashtëzakonshëm. Mund ta barazosh me Maradonën ose Pelen.”

Bardhezinjtë pësuan edhe golin e tretë, të shënuar nga mbrojtësi brazilian Marcelo, që kombinoi me Lucas Vasquez dhe Ronaldon, kaloi edhe portierin e Juves dhe dërgoi topin në rrjetë. Por të gjitha mediat sportive europiane i bëjnë jehonë golit të Ronaldos me roveshatë duke e cilësuar sulmuesin si i ardhur nga një planet tjetër. Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Bajerni arriti të fitojë me përmbysje me Sevillan, me rezultatin 1-2. Skuadra vendase u ndëshkua edhe nga një autogol i Jesus Navas. Goli i fitores u realizua nga Thiago Alcantara.

Tv Klan