Rrëfehet hidrauliku tritolvënës: I vendosa flakën dhe ika



Rrëfehet hidrauliku tritolvënës: I vendosa flakën dhe ika

10:41 19/05/2020

Vilson Brahaj, i cili është dënuar me 16 vite burgim për vendosjen e tritolit në banesën e Xhelal Dacit në Bathore në vitin 2018, ka folur për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ku ka rrëfyer përse e ka kryer këtë krim.

Gjatë intervistës telefonike nga burgu i Elbasanit ku vuan dënimin, Vilson Brahaj ka thënë se nuk ishte në dijeni se kujt i përkiste banesa ku vendosi eksplozivin.

Familja Daci është prej disa vitesh në hasmëri me familjen Kolaveri, dhe këto konflikte janë pasuar me vrasje dhe atentate.

Por, Vilson Brahaj thotë se nuk e ka ditur e kujt ishte banesa ku vendosi tritolin, dhe nuk ka treguar as emrin e porositësit, por u shpreh se e njeh atë person.

Ndër të tjera, Vilsoni ka thënë se pranoi të vendoste tritolin pasi kishte nevojë për para. Me arsim të mesëm dhe profesion hidraulik, Vilson Brahaj tregon se ishte hera e parë që vendoste tritol dhe u instruktua nga porositësi. E megjithatë, sipas tij, ai nuk e mori kurrë pagesën që i ishte premtuar.

Spartak Koka: Çfarë ndodh me procesin gjyqësor ndaj jush?

Vilson Brahaj: Unë u akuzova dhe pranova krimin. Edhe tani Gjykata më ka dënuar me 16 vite burgim. 

Spartak Koka: Ju dënoheni me 16 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë dhe mbajtja pa leje e armëve shpërthyese. Çfarë pretendimesh keni, se Prokuroria në konkluzionet përfundimtare ka dhënë një sqarim shterues për akuzat e ngritura ndaj jush.

Vilson Brahaj: Prokuroria ka ndryshuar akuzën që e kisha unë nga shkatërrim prone me eksploziv, e ka ndryshuar në akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim. Një akuzë që nuk ekziston fare. Nuk më ka dhënë shpjegim. Prokurori që ka bërë hetimet ndaj meje është hequr fare, ka ardhur në prokuror tjetër. Dhe ky prokurori tjetër pa bërë asnjë lloj hetimi për mua, ka ndryshuar akuzën nga shkatërrim prone në vrasje të mbetur në tentativë. Domethënë sikur unë kam shkuar që të vras familjarët aty për gjakmarrje, kur unë s’kam asnjë lloj lidhje me atë fis që janë në hasmëri ata.

Spartak Koka: Në të vërtetë, ju kishit shkuar për të vrarë pjesëtarët e familjes Daci?

Vilson Brahaj: Jo, thjesht kam shkuar për të vendosur tritol në garazhdin e makinës. Kaq. Nuk kam cënuar fare familjen, as shtëpi, asnjë person fare. Në orën 1 e gjysmë të natës unë e kam vendosur tritolin në garazhdin e makinës.

Spartak Koka: Çfarë ju shtyu ju që të ndërmerrnit një akt të tillë, vendosjen e një lënde shpërthyese.

Vilson Brahaj: Për këtë akt shkova kundrejt pagesës, nuk kisha dijeni fare që ajo familje ishte në hasmëri. Unë mendova që kjo gjë bëhet për azil, jo që ata janë në hasmëri.

Spartak Koka: Ju nga jeni me origjinë?

Vilson Brahaj: Unë jam nga Kukësi!

Spartak Koka: Ku jetoni?

Vilson Brahaj: Jetoj në Kamzë.

Spartak Koka: Sa larg e keni banesën e familjes së Xhelal Dacit?

Vilson Brahaj: E kam ndoshta 10 minuta me makinë, nuk e di se sa mund të jetë me kilometra.

Spartak Koka: I njihje më parë?

Vilson Brahaj: Jo jo nuk i njihja.

Spartak Koka: Asnjë lloj kontakti me ta?

Vilson Brahaj: Asnjë lloj, fare.

Spartak Koka: Po familjen Kolaveri?

Vilson Brahaj: As ata, as nuk i njoh as kam lidhje miqësore, shoqërore, asnjë gjë. Nuk i kam takuar kurrë në jetën time.

Spartak Koka: Ju kishit dëgjuar gjatë viteve 2015, për ngarjen e rëndë që kishte ndodhur në Bathore?

Vilson Brahaj: Jo, nuk kam dëgjuar për këtë ngjarje. Veç kam dëgjuar për një ngjarje tjetër që është gjuajtur në burg me snajper. Atë po, e kam dëgjuar. Kurse për këtë nuk e mbaj mend. E kam ditur se janë në hasmëri këto familje, por nuk e kam ditur fare se ku rrinë, ku s’rrinë.

Spartak Koka: Kush ju kontaktoi, siç thoni ju, për të kryer kundrejt pagesës vendosjen e lëndës eksplozive.

Vilson Brahaj: Mua më ka kontaktuar një person, jemi njohur te kafet e shkollës. E di që rri në Bathore po nuk di emrin e saktë se kush është. E njoh si fytyrë, por nuk e di emrin.

Spartak Koka: Dhe çfarë ju ka thënë ai person?

Vilson Brahaj: Po unë kam shkuar me synimin sikur ajo ishte shtëpia e tij dhe ky po e bënte këtë gjë që kërkonte gjasme të ikte me azil në Gjermani, dhe kjo ishte synimi i tij, jo që është hasmëri ose diçka tjetër.

Spartak Koka: Ai ju thoshte sikur do e vendosi në shtëpinë e tij?

Vilson Brahaj: Po po, për të kërkuar azil. Gjasme sikur i kishin bërë atentat dhe ai me këtë synim të kërkonte azil jo që është punë hasmërie.

Spartak Koka: Sa para ju premtoi ky person?

Vilson Brahaj: Ai më premtoi 1500 Euro në fillim, pastaj 5000 Euro.

Spartak Koka: E keni marrë shpërblimin e veprës të cilën e keni marrë përsipër ta bënit?

Vilson Brahaj: Jo nuk e kam marrë.

Spartak Koka: Po lëndën eksplozive ku e siguruat?

Vilson Brahaj: Lëndën eksplozive ma ka sjellë zotëria deri në Kamëz me makinën e tij dhe pastaj e kam vendosur unë.


Spartak Koka: Më përpara nuk pyetët se pronë e kujt është?

Vilson Brahaj: Jo nuk pyeta me thënë të drejtën se nuk e dita se ishte mashtrim. Më tregoi shtëpinë, unë shkova aty pashë, lëvizje s’kishte, ishte mbyllur si shtëpi.

Spartak Koka: Çfarë është bërë deri më sot për identifikimin e këtij personi për të cilin ju thoni që po ta shihni sërish, arrini ta identifikoni?

Vilson Brahaj: Nuk e di asnjë gjë. Unë nuk kam arritur ta gjej. Unë i kam dhënë edhe deklarimet në gjykatë. Në momentin kur të dal unë, personin do e gjej dhe do ja dorëzoj drejtësisë.

Spartak Koka: A kishit vendosur më parë lëndë eksplozive?

Vilson Brahaj: Jo, asnjëherë në jetën time, ishte hera e parë.


Spartak Koka: Kush ju instruktoi se si ta ndiznit, si ta vendosnit?

Vilson Brahaj: Ai personi. Kishte një fitil, më tha vendosi flakën edhe ik.

Spartak Koka: Sipas dëshmisë së dy pjesëtareve të familjes Daci, lënda eksplozive ishte vendosur poshtë dritares së dhomës së gjumit ku ato ndodheshin dhe në banesë ka patur dhe fëmijë të mitur. Sipas Prokurorisë janë dëme të konsiderueshme. 500 gramë tritol nuk janë pak, mund të marrin jetë njerëzish.

Vilson Brahaj: Aty nuk ka pasur asnjë lloj personi sepse unë kam parë shtëpinë nga ora 20:00 deri në orën 01:30, nuk ka pasur asnjë lloj personi. Unë i kam kërkuar prokurorit të parë të hapen tabulatet telefonike. Dhe nga tabulatet të gjithë e dimë që nuk ka dalë asnjë person në shtëpi. Ka qenë mashtrim e gjitha.

Spartak Koka: Po përse pretendojnë atëherë pjesëtarët e familjes Daci se kanë qenë aty në momentin e shpërthimit.

Vilson Brahaj: Mund të pretendojnë gjithçka, po problemi është drejtësia si e vendos. Prokurori që ka bërë hetimet e mia 7 muaj e ka nxjerrë konkluzionin aty nuk ka qenë asnjë person në shtëpi. Ka qenë shtëpia bosh.

Spartak Koka: Po ku ishin pjesëtarët, sipas hetimeve?

Vilson Brahaj: Nuk e di, ndoshta kanë qenë jashtë shtetit. Hetimet që ka bërë prokurori, kanë dalë që aty s’ka pasur asnjë.

Spartak Koka: Si e provojmë?

Vilson Brahaj: Nuk ka pasur njeri. Unë jam i sigurt për këtë. Aty nuk ka pasur asnjë lloj njeriu.

Spartak Koka: Ju keni patur një vepër penale tjetër, shkatërrim i pronës me eksploziv. Ndërkohë ka ardhur prokurori tjetër dhe ka gjykuar se cilësimi i veprës penale do duhet të ndryshonte në akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit. Pra, ka patur prova të reja prokurori që ju ka ngritur këtë akuzë?

Vilson Brahaj: Prokurori s’ka patur asnjë lloj prove. Prokurori ka ecur me hetimet që ka bërë prokurori i parë. Dhe prokurori i parë ka nxjerrë dy nene; shkatërrim prone me eksploziv dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake. Kur ka ndryshuar prokurori, mua më mbaruan afatet e paraburgimit, nuk kisha marrë dënim, duhet të merrja dënim atë ditë ose duhet të lirohesha menjëherë. Dhe që mos të lirohesha, prokurori më ndryshon akuzën, nga shkatërrim prone në vrasje e mbetur në tentativë.

Spartak Koka: A keni qenë më parë me precedent penal?

Vilson Brahaj: Po kam qenë.

Spartak Koka: Ku?

Vilson Brahaj: Këtu në Tiranë.

Spartak Koka: Për çfarë?

Vilson Brahaj: Kam qenë për grabitje.

Spartak Koka: Në cilin vit jeni dënuar?

Vilson Brahaj: Nuk e di, në 2013-2014 nuk e mbaj mend mirë.

Spartak Koka: Cili është arsimimi juaj dhe profesioni juaj?

Vilson Brahaj: Arsimimi është i mesëm, profesioni hidraulik.

Spartak Koka: Në kohën që keni marrë porosinë për të kryer vendosjen e lëndës eksplozive, punonit diku?

Vilson Brahaj: Po, kisha një lavazh me qira.

Spartak Koka: Po çfarë ju shtyu, përsa kohë ju keni pasur një biznes, që të merrnit përsipër të kryenit një veprimtari kriminale?

Vilson Brahaj: Kisha nevojë për para dhe prandaj e bëra.

Spartak Koka: Familja Kolaveri dhe Daci vazhdojnë të jenë në hasmëri me njëra-tjetrën. Jeni kontaktuar nga ndonjëra prej familjeve ju apo pjesëtarë të tjerë të familjes tuaj pas periudhës që jeni arrestuar?

Vilson Brahaj: Jo, s’kam pasur asnjë kontakt, asnjë gjë me ta.

Spartak Koka: A keni një mesazh për familjen Daci? A keni ju një pendesë për atë që keni bërë?

Vilson Brahaj: Po, atyre u kërkoj falje shumë, nuk e kam ditur. Sinqerisht nuk e kam ditur që është shtëpia e tyre se nuk më takon mua të futem në problemet që kanë ata. Për këtë ju kërkoj falje, nuk e dija që ishte shtëpia e atyre.

Spartak Koka: Pasi keni vendosur lëndën eksplozive, ku jeni drejtuar dhe si ka arritur policia t’ju kapë ju?

Vilson Brahaj: Për në banesë. Mua policia më ka arrestuar pas 2-3 ditësh. Në Kamëz janë arrestuar. Më kanë dërguar në komisariat edhe më thanë për veprën që e kam bërë unë, edhe unë e pranova. /klanplus



Të ngjashme