Ekipi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ka qenë në krye të detyrës që nga momenti i rënies së tërmetit të datës 26 Nëntor në ndihmë të banorëve të lënduar. Në një video të shpërndarë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjekët e urgjencës kombëtare rrëfejnë për të mbijetuarit e tërmetit.

“Një lumë telefonatash, 100, 200 edhe përnjëherësh. Një nga infermierët e dëgjoja për një pallat të shembur në Thumanë, dikush tjetër pallat në Durrës 6-katësh”, tregon Dr. Eraldo Xhelili.

Dr. Juna Hutaj ishtë në krye të detyrës bashkë me kolegët dhe tregon për momentet kur banorët po nxirreshin nga rrënojat.

“Tek pallati 6-katësh nga brenda dëgjonim një zë. Herë pas here stafi i ynë mjekësor duhet të futej brenda. Kishte nevoje për oksigjen, kishte nevojë për likide. Ishte distancë shumë e thellë, rreth 5 metra”, rrëfen doktoresha.

“Në momentin e parë që vajtëm atje ishte një kaos total. Njerëz që bërtisnin, familjarë, dëgjonim familjarë. Dëgjonim zëra që thoshin vila kishte 4 kate dhe në shikonim vetëm një grumbull me materiale”, tregon Dr. Eraldo Kushta, një tjetër pjesëtar i ekipit të urgjencës kombëtare.

Dr. Skënder Brataj, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore thotë se në fund është jeta që fiton mbi gjithçka

“Me një nga ekipet që kishim çuar tek këneta po asistonim dhe po dëgjonim poshtë rrënojave kërkesa për ndihmë të 17 vjeçarit, që për fatin e mirë pastaj duke punuar me duar për 6 orë rrjesht në bashkëpunim mundëm që ta shpëtonim 17 vjeçarin dhe e sollëm drejt spitalit të Traumës. Momenti i daljes së tij kuptohet është jeta që fiton mbi çdo gjë”, rrëfën z. Brataj.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka marrë më shumë se 9 mijë thirrje për ndihmë dhe janë kryer mbi 5 mijë misione nga ekipi i mjekëve./tvklan.al