Në krye francezët të ndjekur nga italianët e holandezët

Rreth 500 mijë shtetas të huaj kanë preferuar Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve në javën e parë te Gushtit. Sipas të dhënave të sistemit TIMS të Policisë së Shtetit nga data 1 deri në 8 Gusht kanë hyrë në territorin e vendit mbi 494 000 qytetarë të huaj.

Ndërsa e njëjta periudhë e një viti me parë numëronte mbi 431 000 shtetas nga vendet e tjera. Ky është edhe numri me i lartë i hyrjeve në javën e parë të gushtit të përllogaritur në 4 vitet e fundit.

Krahasuar me një vit më parë janë 63 mijë turistë më shumë, megjithatë rritja është edhe më e madhe duke marrë parasysh se shtetasit nga Kosova nuk regjistrohen në sistemin TIMS prej 1 Qershorit kur hyjnë apo dalin nga vendi ynë. 

Nga shtetasit e huaj që kanë preferuar Shqipërinë për pushimet e fillim Gushtit vendin e parë e zënë francezët, të ndjekur nga italianët dhe me tej holandezët.

Numri i turistëve të huaj pritet të rritet edhe më shumë në pjesën tjetër të muajit, duke ju referuar prenotimeve të bëra në strukturat hoteliere të vijës bregdetare shqiptare.

Tv Klan