Duket se kriza midis presidentit dhe institucionit të Partisë Socialiste po thellohet. Një ditë më parë grupi parlamentar i partisë në pushtet rrëzoi kandidaturën e zotit Lutfi Dervishi të paraqitur nga kreu i shtetit për anëtar në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit. Këshilli formohet nga 7 anëtarë, 3 i përkasin pozitës, 3 opozitës dhe një propozohet nga presidenti.

Preç Zogaj: “Unë shikoj që nuk ka asnjë aryse ligjore. Presidenti ka të drejtë ta zgjedhë një anëtar të KKRT-së, t’ia paraqesë parlamentit. Kam përshtypjen se ka keqkuptime nga ndonjë deputet ose grup deputetësh për pozitën e zotit Dervishi, por në sens presidenti është brenda ligjit, kështu që teprimi me kthimin e dekretit ndoshta fillon dhe prek në thelb parimin e ndarjes së pushteteve dhe kjo vërtet fut në krizë marrëdhëniet e mazhorancës me presidentin.”

Lutfi Dervishi është një gazetar i njohur në shtypin e shkruar. Ai ka qenë kryeredaktor i disa gazetave në vend, është përfaqësuesi i gazetarëve shqiptarë në Paktin e Stabilitetit në Bruksel dhe pedagog në Fakultetin e Gazetarisë në Tiranë. Së fundmi ai është drejtues në Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve. Me sa duket qëndrimi kundër kandidaturës së Lutfi Dervishit vjen si rrjedhojë e kritikave të kësaj zyre për qeverinë shqiptare në seancën e dëgjimit të Komisionit të Helsinkit të kongresit amerikan.

“Kandidaturat janë profesionistë të fushës, janë figura që paraqiten të pastër moralisht dhe, e dyta, janë figura që janë profesionistë të fushës dhe kjo përgjegjshmëri e institucionit të presidentit duhet të gjejë pasqyrimin e saj dhe tek institucionet e tjera dhe te parlamenti, i cili, nga ana e tij, duhet të tregohet i përgjegjshëm duke analizuar përgjegjshmërinë siç ju thashë ligjore, përgjegjshmërinë morale, profesionale, të kandidaturave që propozohen.”

Partia Demokratike kërkon që të pranohet kandidatura e presidentit, meqenëse kreu i shtetit është zgjedhur me konsensusin e plotë të forcave politike.

Bamir Topi: “Problemi është te kandidatura e zotit Moisiu, i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të paragjykohet që bën një përzgjedhje të karakterit politik pasi është pranuar, qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita, që në momentin e zgjedhjes ka qenë një president i pranuar nga të gjitha palët. Kështu që unë nuk mendoj që duhet të ketë ndonjë aludim për politizim të një figure të paraqitur nga presidenti.” /tvklan.al