Simaku: Presim përgjigje nga Berlini për mostrat e dyshuara

Koronavirusi nuk ka të ndalur. Shkurti ka sjellë rritje të rasteve të të infektuarve, duke e çuar në 24% pozitivitetin e mostrave të testuara nga 20 që ishte në Janar.

Ekspertët thonë se rritja e rasteve pritej, ndërsa hidhen dyshime për qarkullim të disa varianteve Covid.

“Ishte e pritshme dhe për arsye të festave dhe si pasojë e kohës dhe stinës së ftohtë, megjithatë ka dhe shtim të transmetimit komunitar dhe kryesisht në moshat e reja, veç mos respektimit të masave nga popullata dhe bizneset në shkallë të gjerë kryesisht ka dyshime që mund të qarkullojnë variantet e reja të virusit”, shprehet specialisti i ISHP, Artan Simaku.

Disa kampione janë dërguar për testim gjenetik në Berlin, prej ku pritet të vijë dhe përgjigjia e detajuar mbi variantet në qarkullim.

“Për të verifikuar se çfarë lloje shtamesh po qarkullojnë. Përzgjidhen nga historia e udhëtimit, të individëve  rastet që kanë patur riinfektim apo riaktivizim të virusit dhe mostra rastësore”.

Ekspertët thonë se agresiviteti i virusit është njëlloj, ndërsa përhapja është më e madhe.

“Ka një tendencë të prekjes së moshave të reja dhe është ulur mosha mesatare e rasteve të prekura deri në 48,8 vjeç”.

Ekspertët shprehen se respektimi i masave është thelbi i menaxhimit të pandemisë. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen mbi 32 mijë e 600 të infektuar aktiv.

Tv Klan