Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, është takuar sot me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe është diskutuar se si do të veprohet pas rritjes së rasteve me Covid.

Ditët e fundit është parë një rritje e rasteve me Covid në institucionet arsimore dhe është diskutuar nëse do të vijohet me mësimin online apo do të ketë një pushim të plotë një javor për të gjitha shkolla.

Zemaj ka shpjeguar se është propozuar që të ketë një javë pushim, por shtoi se vendimi përfundimtar do të merret nesër.

 “Kemi ardhur në disa konkluzione që nesër do të vlerësohen dhe do të merret vendimi përfundimtar që të kemi shkuarje të parakohshme në pushim në të gjitha nivelet arsimore. Interesimi ynë është që të shkojmë pesë ditë përpara.

Gjatë kësaj jave të bëhet vlerësimi nga Ministria e Arsimit dhe të koordinohemi dhe të shohim në javën tjetër a mund të vazhdojmë ë me mësimin online apo të ketë ndërprerje dy javore që të ulet numri i rasteve pozitive”, tha Zemaj.

Më tej ministri u shpreh se situata e Covid është nën kontroll dhe se do merren masa për të frenuar përhapjen e virusit./tvklan.al