Zhvillimi i infrastrukturës rrugore sipas standardeve dhe parametrave më të mirë, është një mbështetje e rëndësishme në nxitjen e turizmit dhe ekonomisë së vendit ndaj dhe qeveria është angazhuar për hartimin e një strategjie të përbashkët institucionale për menaxhimin e situatës. 

Për të cilën dhanë detajat në një konferencë të përbashkët ministrat e linjës. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se me dorëzimin e rrugëve të reja në fund të muajit qershor dhe modernizimin e strukturave monitoruese do të ruhet standardi i sigurisë.

Belinda Balluku: Gjatë këtij sezoni do të dorëzohen edhe akse të tjera të rëndësishme siç thamë, Tuneli i Llogarasë i cili do të hapë një portë të re për jugun e Shqipërisë. 7 minuta do të duhet për të përshkuar Tunelin e Llogarasë në kushte sigurie maksimale krahasur me 45 minutat që duheshin deri dje për të kaluar nga Qafa e Llogarasë. Ne kemi një marrëveshje të plotë me ministrin e Mbrojtjes që përgjatë sezonit do të përdoren edhe dronët e ri Bajraktar që janë në përdorim të ministrisë së Mbrojtjes. Do të përdoren për arsye civile dhe për arsye monitoruese.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla nga ana tjetër tha se do të nisi zbatimi i strategjisë ‘qëndro i sigurt në Shqipëri’, për të cilën mbi 1600 efektivë policie do të patrullojnë në terren.

Taulant Balla: Janë parashkuar të angazhohen në këtë operacion kombëtar plot 1635 punonjës policie, pjesa më e madhe e tyre pjesë e Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike. Një zë i rëndësishëm është numri i punonjësve të policisë së qarkullimit rrugor që do jenë në bashkëveprim me entet e tjera publike për të garantuar sa më shumë siguri rrugore.

Ministrja e turizmit Mirela Kumaro prezantoi aplikacionet e sigurisë, për të cilat tha se kanë njohur përdorim nga një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve të huaj.

Mirela Kumbaro: Bashkë me kolegët e Drejtorisë së Transportit, të cilët kanë hapur tashmë portalin e-transport dhe ne e kemi përfshirë dhe tek një tjetër aplikacion që është shkarkuar nga dhjetëra-mijëra vizitorë të huaj, më shumë se 90 vende të botës, që është TEA që vjen i pasuruar dhe me informacione që kanë të bëjnë me sigurinë. 

Gjatë katër muajve të parë të këtij viti e kanë vizituar Shqipërinë 2.3 milionë turistë të huaj, ndërkohë që gjatë gjithë vitit pritet të arrijën në 40% më shumë turistë se sa ne vitin e shkuar.

Klan News