Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar fotot e takimit të të ngarkuarës me Punë e SHBA Nancy VanHorn me Kryeministrin Edi Rama. Në mesazhin që shoqëron këto foto thuhet se ajo e ka përgëzuar atë për miqësinë e fortë dhe vlerat e përbashkëta mes dy shteteve si Aleatë në NATO dhe partnerë strategjikë.

Zonja VanHorn rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në rolin që ka Shqipëria për të çuar përpara paqen dhe zhvillimin në të gjithë rajonin.

Nga viti 2007 kur ajo iu bashkua shërbimit të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe në Rusi.

Në ditën që mbërriti në vendin tonë zonja VanHorn tha se do të punojë së bashku me autoritetet shqiptare për qëllimet e përbashkëta, për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike.

Klan News