Të ftuar:

Mimoza Paraveli – Këngëtare

Ajo është një këngëtare e njohur, veçanërisht për serenatat dhe me zërin e saj ka bërë për vete publikun. Ka dalë në skenë për herë të parë në moshën 5-vjeçare pa mbaruar ende kopshtin, ndërkohë që si këngëtare e serenatave korçare ka dalë në vitet ‘90 me kantautorin Miallaq Andrea.

Bëhet fjalë pikërisht për Mimoza Paravelin. Këngëtarja ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për karrierën e saj 30-vjeçare, por jo vetëm. Gjatë emisionit ajo tregoi edhe jetën e saj në Tiranë, ku është shpërngulur prej vitesh.

“Për shumë vite unë kam kënduar jashtë. Gjatë gjithë kohës ka qenë një rutinë e tipit mbush valixhe, zbraz valixhe, shumë e lodhshme. Kisha nevojë të kisha një bazë dhe të krijoja jetën time. Jam kthyer në vitin 2003 dhe jam shpërngulur përfundimisht në Tiranë, por e kam edhe shtëpinë në Korçë sepse pa Korçën nuk kam jetë. Kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në Tiranë dhe nëpër evente vetëm muzikë live. Në Tiranë nuk jetoj vetëm, u bënë vite që jam në një bashkëjetesë me një person që e dua dhe më do. Ndihem e lumtur dhe nuk dua të ndaj më shumë për jetën private”, tha këngëtarja.

Paraveli gjithashtu tha se vitet e fundit të gjitha këngët e saj i ka shoqëruar me videoklipe, por sërish sipas saj është shumë e vështirë të dëgjohen.

“Në 5-vjeçarin e fundit të gjitha këngët i kam bërë me videoklip sepse ndryshe humbasin dhe nuk dëgjohen. Edhe me videoklip është shumë e vështirë”, tha Paraveli.

Blerina Arbana – Drejtoreshë e Shkollës së Baletiti,Tiranë

Kur është fjala për fëmijët, të ardhmen dhe shkollimin e tyre, prindërit duan që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Një fushë që tashmë prindërit e preferojnë shumë për fëmijët e tyre është edhe baleti. Vallëzimi është një formë aktiviteti për vajzat dhe për djemtë dhe që mund të nisë që në fëmijëri.

Përgjithësisht kur prindërit shohin që fëmijët e tyre kërcejnë, mendojnë se ata kanë prirje për t’u bërë balerinë. Por cila është mosha e duhur kur një fëmijë mund të fillojë baletin? Blerina Arbana, drejtoreshë e Shkollës së Baletit në Tiranë, ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku tha se mosha e duhur kur një fëmijë mund të fillojë baletin është pasi mbaron klasën e tretë. Ajo gjithashtu njoftoi se më 24 Qershor në orën 16:00, në Shkollën e Baletit zhvillohet faza selektive për të gjithë nxënësit që kanë dëshirë dhe pasion baletin.

“Shkolla e Baletit, si e vetmja shkollë specifike në llojin e saj, i ofron shanse dhe mundësi çdo fëmije që ka dëshirë dhe pasion baletin. Shkolla jonë i fton të gjithë nxënësit që kanë mbaruar klasën e tretë të marrin pjesë në konkurs. Në Shkollën e Baletit më 24 Qershor në orën 16:00 zhvillohet faza selektive për të gjithë nxënësit që kanë dëshirë. Unë kam bërë një studim me një nga nxënëset e mia, Enxhi Shima, dhe për të formuar një nxënës balerin nga klasa e katërt deri në të dymbëdhjetën duhen 16000 orë mësimore për të qenë gati për t’u përballur me skenën. Tashmë ne fëmijët i marrim më të vegjël dhe ka qenë produktive. Nxënësit në Shkollën e Baletit atashohen sapo mbarojnë klasën e tretë. Karakteristikat që duhet të kenë këta fëmijë janë elasticiteti, padiomin ose samarin e këmbës, por mbi të gjitha pasion dhe vullnet për të punuar”, tha Arbana.