Rusia ka dëbuar nga vendi 3 diplomatë europianë, të cilët morën pjesë në protestat në mbështetje të kreut të opozitës ruse Alexei Navalny.

Tre diplomatët e dëbuar janë nga Gjermania, Suedia dhe Polonia. Autoritetet ruse thanë se këta diplomatë morën pjesë në demonstratat e paligjshme më 23 Janar. Zëdhënësia e Ministrisë së Jashtme të Suedisë mohoi që diplomati suedez të kishte marrë pjesë në protesta.

Alexei Navalny, kritiku më i madh i Presidentit rus Vladimir Putin, u burgos pak ditë më parë për akuzën se kishte shkelur dënimin me kusht për një vepër penale të mashtrimit në vitin 2014.

Navalny u helmua në muajin Gusht 2020 dhe u dërgua në Gjermani për mjekim. Në Janar të këtij viti ai u rikthye në Rusi dhe u arrestua menjëherë, e më pas u burgos. /tvklan.al