Koronavirusi ka shkaktuar më shumë se 400 të vdekur deri më tani dhe mijëra të tjerë të infektuar në mbarë botën. Virusi i rrezikshëm që u përhap nga Kina, ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallë emergjencën globale.

Për të shmangur përhapjen e këtij virusi, shumë kompani të huaja, kryesisht ato amerikane, kanë mbyllur përkohësisht dyqanet e tyre në Kinë. Teksa frika është e madhe, nëpër rrjetet sociale është diskutuar edhe mundësia e përhapjes së koronavirusit nga pakot e porosive që nisen nga Kina drejt shteteve të ndryshme.

Lidhur me këto dyshime, kanë reaguar ekspertët të cilët thonë mundësia që virusi të përhapet nga produktet e prodhuara në Kinë, është e ulët. Ata argumentojnë se ky virus nuk mund të jetojë shumë orë në temperatura të ambientit jashtë trupit të njeriut.

Sipas ekspertëve, ka pak gjasa që koronavirusi të mbijetojë në kushte të tilla jashtë trupit njerëzor.

Elizabeth McGraw, drejtoresha e Qendrës së Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se kutitë e kartonit nuk janë një ambient i përshtatshëm për mikrobet. Mjekët shpjegojnë se koronavirusi përhahet përmes rrugëve të frymëmarrjes. /tvklan.al