Raportim Live
23:23, 11 Korrik 2024

Pas samitit të NATO-s Donald  Trump do të takojë Viktor Orban

Pas samitit të NATO-s Donald  Trump do të takojë Viktor Orban

Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump do të takohet pas përfundimit të samitit të NATO-s të enjten, me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban.

Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetat ndërkombëtare “Politico” dhe  “The New York Times” bëhet e ditur se takimi i tyre do të zhvillohet në resorin e Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach.

Prej kohësh Turmp dhe Orban kanë patur marrëdhënie shumë të mira, ky i fundit e ka shprehur publikisht mbështetjen për ish-presidentin i cili rikandidon në zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen në Nëntor.

Takimi mes Orban dhe Trump vjen pasi kryeministri hungarez bëri një sërë udhëtimesh jashtë vendit, duke përfshirë një vizitë të papritur në Moskë për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin.

18:32, 11 Korrik 2024

Olaf Scholz vlerëson vendosjen e raketave amerikane në Gjermani

Olaf Scholz vlerëson vendosjen e raketave amerikane në Gjermani

Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë fjalës së tij në samitin e NATO-s në Washington ka lavdëruar vendosjen e paralajmëruar të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Gjermani. Sipas tij ky ishte një hap shumë i domosdoshëm për sigurinë e vendit të tij.

“Ne kemi qenë prej kohësh duke u përballuar me pyetjen se si mund të arrijmë të krijojmë një siguri territoriale për aleancën tonë,” tha Scholz.

Marrëveshja mes SHBA-ve dhe Gjermanisë, e cila u bë publike gjatë zhvillimit të samitit të NATO-s, do të vendosë një sërë sistemesh raketore në tokën gjermane duke filluar nga viti 2026 dhe deri në vazhdim.

“Ky vendim ka qenë synimi ynë për një kohë të gjatë, dhe nuk është befasi për asnjë prej anëtarëve të aleancës që është i përfshirë në politikën e sigurosh dhe paqes,” shtoi më tej kancelari gjerman.

Nga ana tjetër Moska ka kritikuar vendimin dhe ka kërcënuar se do të përshkallëzojë tensionet. Në një deklaratë për shtyp, Kremlini është shprehur se vendosja e raketave amerikane në territorin gjerman përbën një kërcënim serioz nga NATO.

15:35, 11 Korrik 2024

Moska reagon ashpër ndaj zotimit të NATO-s për më shumë ndihmë për Ukrainën

Moska reagon ashpër ndaj zotimit të NATO-s për më shumë ndihmë për Ukrainën

Moska ka reaguar ashpër ndaj zotimit të NATO-s për ndihmë ushtarake shtesë dhe asistencë për Ukrainën.

Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha: “Kundërshtarët e Rusisë në Europë dhe Amerikë nuk e mbështetën dialogun… ose paqen”.

Ai shtoi se me këmbënguljen e aleancës se Ukraina është në “rrugën e pakthyeshme” të anëtarësimit në NATO, “është e qartë se liderët perëndimorë po kërkojnë humbjen strategjike të Rusisë”.

“Moska do të përgjigjet me masa të koordinuara… për ta mbajtur NATO-n nën kontroll”, tha Peskov,pa dhënë detaje të tjera.

Ndërsa ish-presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev, në një postim në rrjetet sociale tha se Rusia duhet të sigurohet që “rruga e pakthyeshme e Ukrainës drejt NATO-s të përfundojë ose me zhdukjen e Ukrainës, ose NATO-s, ose më mirë akoma, me zhdukjen e të dyjave”.

Për kontekst: Rusia e sheh NATO-n si një armik perëndimor dhe e akuzon atë se po zgjerohet për të kërcënuar Rusinë. NATO ka pohuar gjithmonë se nuk është në luftë me Rusinë, as nuk kërkon konflikt me të, por do të veprojë për të mbrojtur anëtarët e saj të aleancës dhe për të denoncuar veprimet dhe dezinformimet e Rusisë.

15:06, 11 Korrik 2024

Borrell: NATO nuk mund ta injorojë rolin e Kinës apo Koresë së Veriut

Borrell: NATO nuk mund ta injorojë rolin e Kinës apo Koresë së Veriut

NATO-s nuk i leverdis të injorojë rolin që Kina dhe Koreja e Veriut po luajnë në luftën e Ukrainës, ka paralajmëruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Duke folur pak më herët, ai përmendi “miqësinë e pakufizuar” të Kinës dhe Rusisë dhe tha se Koreja e Veriut është “një nga furnizuesit më të rëndësishëm të materialit luftarak për Rusinë”.

Duke pasur parasysh këtë, Borrell shtoi se NATO do të diskutojë me aleatët e saj në zonën e Indo-Paqësorit se si aleanca dhe vendet europiane mund të “sigurojnë stabilitetin e rajonit”.

Kujtojmë se presidenti i Rusisë Vladimir Putin, është takuar këtë vit me udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Veriut.

Më maj, Putin udhëtoi në Kinë ku Xi Jinping e mirëpriti ngrohtësisht “mikun e tij të vjetër”. Muajin pasues, Putin vizitoi Penianin, ku ai dhe Kim Jong Un deklaruan se marrëdhënia e tyre ishte në “një nivel të ri, të lartë aleance”.

14:47, 11 Korrik 2024

Liderët botërorë mbërrijnë në ditën e fundit të samitit të NATO-s

Liderët botërorë mbërrijnë në ditën e fundit të samitit të NATO-s

Udhëheqësit botërorë kanë filluartë futen në Qendrën e Konventës Walter E. Washington përpara sesionit të dytë të punimeve të samitit të NATO-s në Washington.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon zhvilluan gjithashtu një takim të shkurtër dypalësh.

14:44, 11 Korrik 2024

Fjalimi i Biden në NATO, ‘testi më i madh’ që prej debatit me Trump

Fjalimi i Biden në NATO, ‘testi më i madh’ që prej debatit me Trump

Në përmbyllje të punimeve të samitit të NATO-s në mbrëmje në Washington, presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë një konferencë për shtyp.

Korrespondenti i BBC për Amerikën e Veriut, Anthony Zurcher, thotë se ky do të jetë “testi më i madh” i Biden që nga debati i tij i dështuar presidencial dy javë më parë kundër Donald Trump.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe përpjekja e Biden për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë nuk mbetën jashtë samitit të NATO-s. Disa demokratë me ndikim po i bëjnë thirrje të tërhiqet nga gara për shkak të moshës. Biden ka këmbëngulur se do të qëndrojë në garë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga BBC dje, Stoltenberg refuzoi të bëhej pjesë e diskutimit nëse politika e brendshme në SHBA mund të ndikojë në aleancë…Lexo më shumë

14:25, 11 Korrik 2024

Kina-NATOs: Mjaft me të ashtuquajturin kërcënim kinez

Kina-NATOs: Mjaft me të ashtuquajturin kërcënim kinez

NATO ishte e ashpër një ditë më parë ndaj Kinës, për përfshirjen e saj në luftën në Ukrainë, duke e akuzuar Pekinin si “mundësues vendimtar” për Rusinë.

Kjo shkaktoi zemëratë nga misioni i Kinës në BE, i cili i bëri thirrje NATO-s që të “ndalojë së reklamuari të ashtuquajturin kërcënim kinez”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, tha sot se aleanca kishte njollosur vendin e tij me “dezinformata të fabrikuara”.

Kina gjithashtu i tha NATO-s që të qëndronte jashtë Azi-Paqësorit, duke thënë se përpjekjet e aleancës për të forcuar lidhjet ushtarake dhe të sigurisë me fqinjët e Kinës po minonin interesat e vendit, si dhe paqen dhe stabilitetin në rajon.

Komentet vijnë ndërsa Pekini mban stërvitje ushtarake me Bjellorusinë, të cilat presidenti rus Vladimir Putin e përdori si trampolinë për pushtimin e tij të Ukrainës në vitin 2022.

14:16, 11 Korrik 2024

Si po e ndihmojnë vendet e NATO-s Ukrainën?

Si po e ndihmojnë vendet e NATO-s Ukrainën?

Që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022, NATO nuk ka dërguar trupa në Ukrainë dhe as ka vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi këtë vend, për shkak të frikës se do të futej në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Megjithatë, anëtarët individualisht kanë furnizuar me armë Ukrainën, duke e ndihmuar që të mbrohet.

Organizata gjermane e kërkimit, Instituti Kiel, thotë se SHBA ka akorduar 50.4 miliardë euro për mbështetje ushtarake për Ukrainën, ndërsa vendet europiane si Danimarka, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Britania e Madhe, kanë akorduar 32 miliardë euro.

SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Turqia dhe të tjerët kanë ofruar armë antitank, sisteme të mbrojtjes raketore, armë artilerie, tanke dhe drone ushtarake. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë furnizuar gjithashtu raketa me rreze të gjatë.

Në samitin e NATO-s në Washington, presidenti Joe Biden tha se SHBA do të bashkëpunojë me Gjermaninë, Italinë, Holandën dhe Rumaninë për të dhuruar bateri raketash Patriot dhe sisteme të tjera për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

14:11, 11 Korrik 2024

“Anëtarësimi i Ukrainës, rrugë e pakthyeshme”

“Anëtarësimi i Ukrainës, rrugë e pakthyeshme”

Pushtimi i Ukrainës ishte në krye të axhendës të punimeve të samitit të NATO-s një ditë më parë në Washington. Në një deklaratë të dakordësuar nga të gjithë anëtarët thuhej se Rusia “mbetet kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë” për sigurinë.

Anëtarët e NATO-s u zotuan për mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Ukrainës në bllok, duke thënë se kjo ishte një “rrugë e pakthyeshme”.

Ata nuk ranë dakord për një afat zyrtar kohor se kur mund të ndodhë ky anëtarësim, por 32 anëtarët e NATO-s thanë se Ukraina kishte mbështetjen e tyre “të palëkundur” për përpjekjet luftarake të saj.

Anëtarët e NATO-s gjithashtu premtuan më shumë ndihmë, duke u zotuar për dhënien e 40 miliardë eurove vitin e ardhshëm, duke përfshirë avionët luftarakë F-16 dhe mbështetje në mbrojtjen ajrore.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha: “Mbështetja për Ukrainën nuk është bamirësi, është në interesin tonë të sigurisë”.

14:04, 11 Korrik 2024

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pamje nga darka shtetërore që shtroi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden për nder të udhëheqësve të NATO-s. Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohej në darkë nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

13:38, 11 Korrik 2024

Samiti i NATO-s në Washington, Kina hedh poshtë akuzat se po mundëson luftën e Rusisë në Ukrainë

Samiti i NATO-s në Washington, Kina hedh poshtë akuzat se po mundëson luftën e Rusisë në Ukrainë

Liderët botërorë mbërrijnë për ditën e fundit të samitit të NATO-s në Washington DC.

Presidenti amerikan Joe Biden pasdite do të marrë pjesë në seancën e dytë të punës të samitit të NATO-s.

Kjo do të pasohet nga një takim midis liderëve të Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Partnerëve Indo-Paqësor dhe BE-së. Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg pritet që të mbajë edhe një fjalë.

Biden dhe Stoltenberg më pas do të marrin pjesë në një takim të këshillit NATO-Ukrainë në mbrëmje, pasuar nga një konferencë shtypi e mbajtur nga Stoltenberg.

Ndërsa Biden do të mbajë një konferencë për shtyp në fund të samitit. Ky fjalim është parë gjerësisht si testi i tij më i madh që nga debati i tij i dështuar me Donald Trump.