Të paktën 40 miliardë Euro ndihmë ushtarake, ku përfshihen edhe avionët ushtarakë të sofistikuar amerikanë F-16 për t’i bërë ballë luftës ruse. Ky është angazhimi i NATO-s për Ukrainën, që ishte në fokus të samitit të Washingtonit që përkoi edhe me 75-vjetorin e themelit të aleancës.

Për presidentin amerikan Joe Biden, lufta ruse në Ukrainë tregon se sa i nevojshëm është në këtë moment, zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të aleancës. Për këtë arsye, vetëm Shtetet e Bashkuara, u shpreh ai, vitet e fundit kanë investuar 30 miliardë euro vetëm në industrinë ushtarake brenda dhe jashtë vendit.

“Ky angazhim i ri i dërgon botës një mesazh se çdo anëtar i NATO-s është i angazhuar për të bërë punën e tij për ta mbajtur aleancën të fortë. Ne mundemi dhe do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe do ta bëjmë së bashku”, tha Biden.

Gjithsesi në samit nuk u arrit një marrëveshje për ofrimin e ndihmave ushtarake për një periudhë disa-vjeçare për Ukrainën, por vendet anëtare ishin të hapura për të përparuar me planin për anëtarësimin e këtij vendi.

Gjatë samitit, Washingtoni dhe Berlini shpalosën planin për vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, që synon të mbrojë Europën nga kërcënimi rus në rritje.

Tv Klan