Michael Schumacher do të zhvillojë një operacion qelizor në një përpjekje për të rigjeneruar sistemin e tij nervor.

Ikona e Formula 1 ndodhet në gjendje të rëndë pas aksidentit me ski gati 6 vjet e gjysmë më parë. Gjendja e tij fizike ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe e dobët, ndërsa është gjithnjë nën kujdesin e njerëzve të afërt.

Schumacher pësoi dëmtime të rënda në tru në 2013-n dhe operacioni më i fundit do të zhvillohet ditët e ardhshme sipas raportimeve të mediave italiane.

Do të jetë profesori francez dhe kardiologu i njohur Philipe Menasche, i cili e ka operuar Schumacher-in edhe më parë. Sipas mediave, ai do të mundohet që të zëvendësojë qelizat e dëmtuara me të shëndetshme.

Michael Schumacher qëndroi në koma për gjashtë muaj pasi vuajti një dëmtim në kokë ndërkohë që po skionte në një vend popullor në Alpe.

Edhe pse askush nuk e ka parë më ish-shoferin e Ferrarit që prej aksidentit, ish-menaxheri i skuterisë italiane, Jean Todt, tha vitin e kaluar se ai po bënte progres të mirë si dhe mund të shikonte garat e Formula 1 në televizion./tvklan.al