Prokuroria e Tiranës ka kërkuar vendosjen e sekuestros preventive të pasurive të një shtetase polake me iniciale Ana Morgenstem. Dyshohet se ato janë vendosur nga aktiviteti mashtrues i bashkëshortit të saj, Stephan Morgenstem, i cili u arrestua në gusht të vitit 2023 në Rinas. Shtetasi gjerman akuzohet se ka krijuar një skemë piramidale në nivel ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës së bashku me individë të tjerë kanë përfituar rreth 28 milionë euro.

Morgenstem kërkohet nga Korea e Jugut dhe Polonia. Shumicën e pronave, tashmë të bllokuara, i kishte në Dubai. Bashkëshortja e tij zotëron disa pasuri në Shqipëri për të cilat kërkohet sekuestro. 

Prokuroria e Tiranës thotë se vlerat e blerjes së pasurive të paluajtshme janë shuma të konsiderueshme, si 483 mijë euro, 28 mijë euro etj. Bëhet fjalë për një apartament prej 176 metra katrorë dhe dy garazhe në Lundër. Sipas organit të akuzës këto janë indicie të mjaftueshme se pasuritë janë produkt i veprës penale.

Nisur nga ky hetim Prokuroria e Tiranës dyshon se çifti i bashkëshortëve kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Klan News