Gol historik nga portieri

Sevilla vijon të jetë në garë për titull në La Ligën spanjolle. Skuadra andaluziane arriti të marrë një pikë në transfertën të Valladolid, që u shfaq më e vështirë nga sa ishte parashikuar. Kur gjithçka u duk se do shkonte në favor të Valladolid, pasi kryesonte deri në minutën e 93-të me shifrat 1-0, portieri i Sevillas, Bono la portën dhe u kthye në hero, duke shënuar golin për barazimin 1-1.

Realizim për kornizë për numrin 1 të Sevillas, i cili më pas festoi si i çmendur. Shënimi i golit nuk është i shpeshtë për të, me Bono që konfirmoi se në ato momente nuk kishte asnjë ide se si të festonte.

Me këtë pikë, Sevilla mban vendin e katërt me 55 pikë. Fitore komode mori Real Madrid, 3-1 në transfertën e Selta Vigo. Karim Benzema dy herë dhe Asensio në fund i dhanë tre pikët e radhës skuadrës kryeqytetase që ngjitet në kuotën e 60 pikëve.

Klan News