40 ditë arrest me burg ka caktuar këtë të premte gjykata për Leksi (Aleksandër) Vulajn, malazezin e arrestuar dy ditë më parë për llogari të SHBA.

Policia e Shtetit, në bazë të informacioneve të marra nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh, duke analizuar lëvizjet e këtij personi në territorin shqiptar, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.

41-vjeçari u arrestua më 1 Shtator në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit.

Pas arrestimit materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. /tvklan.al