SHBA largohet nga bordi i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë

SHBA largohet nga bordi i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë

08:22 17/08/2019

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur të premten se është larguar nga bordi i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë, për shkak të siç thuhet se ky institucion udhëhiqet nga një person i pakualifikuar.

Vendimi i Ambasadës amerikane që u bë i ditur nëpërmjet një deklarate të postuar në faqen e Facebook-ut, pason atë të Ambasadës britanike në Prishtinë e cila po ashtu ishte tërhequr nga ky bord.

“Ne nuk do të jemi aty kur udhëheqësi u shërben interesave personale dhe atyre politike, në vend të njerëzve. Përzgjedhja e personave jo adekuatë për pozita qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut,” thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ditë më parë, Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kishte kritikuar sërish mbajtjen e pozitës nga siç e ka quajtuar ai, udhëheqësi i pakualifikuar Naser Shala.

“Kreu i pakualifikuar i Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në KosovëNaser Shala mbetet në detyrë, duke minuar besimin e qytetarëve për punësimin e bazuar në merita. Rrugë e drejt për të gjithë të emëruarit e pakualifikuar është dorëheqja. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit”,thuhej në postimin e ambasadorit Kosnett në rrjetin social në Twitter.

Pas vendimit të ambasadës amerikane reaguan edhe ambasadat tjera perëndimore në Kosovë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell kritikoi ashpër institucionet e Kosovës për emërime të tilla.

Nepotizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po lodhet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, thuhet në reagimin e ambasadorit britanik në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se Kosova ka njerëz të arsimuar dhe të kualifikuar për këtë pozitë.

“Por për sa kohë që pozicionet publike shihen ekskluzivisht si dhurata, askush nuk duhet të presë nga ata që përpiqen të ndihmojnë dhe mbështesin, që të rrinë si veshje e dritarës”,thuhet në reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha nëpërmjet rrjetit social Facebook se dorëheqja e ambasadës amerikane nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është lajm i keq për Kosovën dhe alarm për të gjithë.

“Nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin tonë dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë edhe marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë. Kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri, prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pa kompromis korrupsionin”,thuhet në reagimin e zotit Veseli.

Gjatë muajve të fundit në disa raste ambasada amerikane por edhe diplomatët tjerë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen për emërime politike në poste të rëndësishme. /VOA

Të ngjashme
UKT