Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan ka miratuar ndalimin e përdorimit të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara. Sipas ligjit që kaloi me 360 vota pro dhe 58 kundër, fjalën e fundit për të cilin do ta thotë Senati, TikTok-u do të ndalohet të përdoret, nëse pronari me bazë në Kinë i platformës së njohur të mediave sociale, ByteDance Ltd, nuk i shet aksionet e tij brenda një viti.

Nisma ligjore erdhi pasi autoritetet në SHBA dhe sidomos zyrtarë të inteligjencës shtuan thirrjet për të ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni nga pajisjet qeveritare, pasi sipas tyre TikTok-u paraqet rrezik për sigurinë kibernetike.

SHBA-të janë të shqetësuara se autoritetet kineze mund të detyrojnë “ByteDance” të dorëzojë të dhënat e përdoruesve amerikanë, ose ta drejtojë kompaninë të rrisë përmbajtjen e TikTok-ut në favor të interesave të saj. Por vetë TikTok ka mohuar se mund të përdoret si një mjet i qeverisë kinez, duke ndarë të dhënat e përdoruesve amerikanë me autoritetet kineze.

Pas miratimit të ligjit, kompania ka deklaruar se do ta vijojë betejën e saj ligjore në gjykatë, me argumentin se po shkelen të drejtat e 170 milionë përdoruesve të këtij aplikacioni në SHBA. Në vitin 2020, Gjykatat Federale bllokuan një urdhër ekzekutiv të lëshuar nga Presidenti i atëhershëm, Donald Trump për të ndaluar TikTok-un. Bllokimi erdhi pasi kompania paditi ish-Presidentin Trump me arsyetimin se, urdhri shkelte të drejtat e lirisë së fjalës dhe të procesit të rregullt ligjor.

Tv Klan