Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvendosin ambasadën e tyrë ne Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem pas 6 muajsh, duke njohur kësisoj Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ka qenë vetë presidenti amerikan Donald Trump që ia ka komunikuar lajmin homologut të tij palestinez Abu Mazen, përmes një telefonate. Vendimi i Trump cilësohet si shantazh dhe rrezik për paqen nga presidenti palestinez. Autoritetet në Palestinë njoftuan 3 ditë zemërim ndaj Uashingtonit, që do të shoqërohen me protesta në vend dhe u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të tyre në Izrael e kudo në botë të mblidhen pranë ambasadave të Izraelit për të shprehur zemërimin e përgjithshëm ndaj këtij vendimi.

Tensioni mbetet i lartë pas vendimit të Uashingtonit për të zhvendosur ambasadën. Presidenti francez Macron u shpreh i shqetësuar për vendimin e Trump, Mbreti i Arabisë Saudite Salman e quajti një hap të rrezikshëm që do të irritojë myslimanët në mbarë botën.

Më herët presidenti turk Rexhep Taip Erdoan lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj homologut të tij amerikan. Nëse kjo ndodh, Turqia do të ndërpresë marrdhëniet diplomatike me Izraelin, tha Erdoan, i cili e cilësoi Jeruzalemin vijë të kuqe për myslimanët.

Jeruzalemi konsiderohet qytet i shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët. Mollë sherri është aktualisht pjesa lindore e populluar nga arabët, të cilën izraelitët e kanë nën kontroll prej 1967-ës. Palestinezët kërkojnë që ajo zonë të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të pavarur. Ndërsa izraelitët pretendojnë se i gjithë qyteti është pjesë e kombit të tyre dhe se prej 3 mijë vjetësh është kryeqyteti i Izraelit.

Tv Klan