Rivalet historike kanë një sërë mosmarrëveshjesh për një sere çështjesh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  i kanë bërë thirrje Turqisë dhe Greqisë që të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të rrisin më tej tensionet mes dy aleatëve të NATO-s.

Në një kohë kur Rusia përsëri po sulmon një shtet sovran evropian, deklaratat që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s janë veçanërisht të padobishme”, thotë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë patur mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Edhe zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder theksoi nevojën për uljen e tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë, pas njoftimeve se forcat greke drejtuan sistemet S-300-të të mbrojtjes ajrore nga avionët turq.

“Sekretari Austin ka biseduar në të kaluarën me homologët e tij turq dhe grekë dhe ka theksuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të ulur tensionet në Egje përmes një dialogu konstruktiv”, është shprehur zëdhënësi i Pentagonit Patrick Ryder

Bashkimi Evropian shprehu shqetësimin të hënën për ato që i quajti “deklarata armiqësore” pasi presidenti turk Erdogan akuzoi Greqinë për pushtimin e ishujve të çmilitarizuar në Egje dhe tha se Turqia ishte e gatshme “të bëjë atë që është e nevojshme” kur të vijë koha.

Klan News