Një video amatore tregon momentet e tmerrit që përfshiu ata që panë me sytë e tyre shembjen e urës në Xhenova të Italisë pak para mesditës.

Struktura prej betoni e varur, u shemb në tokë në pak sekonda, duke zënë poshtë dhjetëra autovetura e kamionë. Bilanci është tragjik; 35 të vdekur 16 të plagosur dhe të paktën 10 persona ende të pagjetur.

Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet nën rrënoja. Këto pamje tregojnë automjetet e shkatërruara të rëna pranë brigjeve të lumit pas shembjes së urës.

Të tjerë dëshmitarë nuk u besojnë syve teksa shohin urën gjigande të shembur.

Shumë prej personave që ndodheshin pranë urës, thonë se struktura u shkatërrua pas një rrufeje të fuqishme. Një kamionist shpëtoi me pak plagë pasi ishte hedhur nga kamioni sapo ndjeu se ura po shembej.

“Dëgjova një gjëmim të fuqishëm dhe pastaj u hodha nga kamioni. Ishte si një goditje “shock”, pastaj rashë disa metra më poshtë. Ishte një mrekulli që shpëtova”.

 

Një banore e Xhenovas pa me sytë e saj shembjen e urës.

“Ishte një eksperiencë shumë e keqe. Isha 10 metra larg urës. Papritur ura u shemb sikur të ishte miell”.

Shkaqet e tragjedisë janë ende të paqarta. Ekspertët ia vënë fajin teknologjisë tepër të vjetëruar mbi të cilën ura qëndronte akoma në këmbë. Ura mban emrin e inxhinierit ndërtues Rikardo Morandi, u ndërtua në vitin 1967 nën shembullin e urës së Bruklinit.

 

Këto ditë, mbi strukturën e saj po kryheshin punime mirëmbajtjeje. Inxhinierët thonë se kavot që mbanin urën në këmbë ishin tepër të vjetëruar. Disa prej tyre e kishin paralajmëruar me kohë rrezikun e shembjes së saj, për më tepër që mbi të kalonin automjete të tonazhit të rëndë.

Ura kalon mbi lumin Polçevera, ku kalon autostrada A10 që lidh Xhenovën me Savonën e qytete të tjera veriperëndimore të Italisë.

Kostot e mirëmbajtjes së urës kanë qenë të larta gjatë këtyre viteve, aq sa kanë tejkaluar ato të ndërtimit.

 

Që në ndërtimin e saj, inxhinierë të ndryshëm ishin kundër. Ura i është nënshtruar disa herë riparimit dhe inxhinierët kanë shprehur shpesh shqetësimin për problemet e vazhdueshme që ka shfaqur.

Tv Klan