Një tjetër shpallet në kërkim

Disa persona janë konfliktuar fizikisht në një lokal, duke i shkaktuar njëri-tjetrit dëmtime të lehta fizike.

Policia e Gramshit ka shkuar në vendngjarje pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa personave në një lokal dhe personi që njoftoi Policinë pretendonte se i kishin marrë me forcë në mjet vëllain.

Pas hetimit të policisë u zbulua se disa qytetarë kishin konsumuar pije alkoolike në lokalin e qytetarit O. D. dhe më pas janë konfliktuar me njëri tjetrin.

Ndërsa 33 vjeçari F. B., i cili u kallëzua nga i vëllai se ishte marrë forcërisht nga dy persona, kishte shkuar në banesë dhe nuk qëndronte pretendimi i vëllait të tij.

Policia arrestoi në flagrancë një 30 vjeçar me iniciale E. B., për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Në njoftimin e policisë thuhet se “është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 31 vjeçarit me iniciale S. K., banues në Gramsh.”

Gjithashtu u proceduan penalisht 4 persona të tjerë  për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërkohë pronari i lokalit O. D., në zbatim të Aktit Normativ do të ndëshkohet edhe administrativisht për shkelje të protokolleve të sigurisë./tvklan.al